Si të jesh më social në median sociale

Nga Afrim Karoshi, për “Ilira Revista”

Kid_Social_MediaNjerëzit duan ta shkëmbejnë vetveten. Duan të njohin e të njihen. Që në zanafillë e botës, të paktën nga këndvështrimi biblik, nuk ishte mirë për Adamin të rrinte vetëm. Kur Zoti i dhuroi gruan atij, përtej dhënies së bashkëshortes u përmbush edhe nevoja e Adamit për të qenë vazhdimisht në praninë e të ngjashmit.

Rrjetet sociale të kohës sonë rrjedhin prej kësaj nevoje të brendshme tonën. Të duash të jesh afër njerëzve, nuk është diçka e re. Por të rrish afër njerëzve përmes Facebook­ut, e ku ti shkruan në njërën anë, e dikush tjetër lidhet me ty përmes asaj që shkruan nga ana tjetër e botës (qyteti yt mund të duket fundi i botës!), kjo është e re.

A e përmbush ky realitet teknologjik “ëndrrën” e kahershme – që prej krijimit të botës madje – të një lidhjeje të patëmetë mes nesh?

Është e zakonshme pritshmëria e disave që teknologjia mundëson një realitet, ku nuk ka vuajtje e dhimbje, ku jeta është më e mirë, në kufijtë e së përsosurës. Ndonjëherë, kjo pritshmëri nuk shqiptohet qartë, por në sfond bie në sy. Kur rrjetet sociale u bënë të famshme në botë, sidomos Facebook­u e Twitter­i, u duk se përfundimisht muret e ndarjes mes njerëzve u shembën.

Lidhemi me të tjerët përtej kontinentit, por ende jemi të vetmuar. Marrim informacion me bollëk, por shumë më tepër sesa përtypim, që të mund të përfitojmë prej tij.

Në vijim do të ofroj disa mendime se si ta përdorim kontekstin e ri të komunikimit për të shkuar përtej dukjes, drejt marrëdhënieve të shëndosha. Një njohje e mirë e karakteristikave të kon
tekstit të ri na jep mundësinë të shkëmbejmë më mirë me njëri­tjetrin.

Konteksti, konteksti, konteksti… i munguar

Cili është ndryshimi mes dy njerëzve që flasin përballë njërit­tjetrit në tavolinë, nën aromën e fortë të një kafeje ekspres, dhe kur flasin nga rehatia e shtëpive të tyre, duke përdorur chat­in në Facebook?

Informacion tejçohet, apo jo? Por informacioni nuk është vetëm “fjalë”. Kur dikush thotë “të dua!”, fjalët ndryshojnë kuptim kur shoqërohen me një skuqje të lehtë fytyre, me sy të ndriçuar, dhe me zërin që dridhet.

Krejt natyrshëm e lexojmë kontekstin, sa ndonjëherë, në statusin e dikujt në Facebook, lexojmë edhe mimikën e shkruesit. Por duhet të kujtojmë që në një tekst të shkruar në Facebook ka vetëm fjalë. Dhe tani për tani, kaq mund të ketë! S’mund t’u veshim fjalëve kontekstin e komunikimit që paramendojmë, sepse  është vështirë të dallosh vetëm nga fjalët edhe gjendjen shpirtërore të shkruesit.

Kohët e fundit, Facebook­u ka shtuar mundësinë që bashkë me statusin (informacion) të shtojmë edhe shprehjen e gjendjes emocionale rreth atij statusi, por, prapë, kjo nuk e zëvendëson nevojën tonë për të lexuar “për së gjalli” botën emocionale të dikujt.

Të mendohem apo të flas?

Mërziteshim me dikë, dikur! Më parë, kur s’kishte Facebook e celularë, sipas largësisë orë të tëra hapësire lëndimi na ndanin nga të tjerët. Minutat kalonin e zjarri i zemërimit shuhej deri në çastin e përballjes. Kishim kohë t’i përzgjidhnim fjalët më me kujdes sesa në fillim të grindjes. Sot, nëse lëndohemi, mund t’ia bëjmë të ditur personit lëndimin në harkun e 10 sekondave. Njerëzit janë një mesazh telefonik (SMS) larg! Na duhet më shumë kohë të mendohemi rreth mesazhit, sesa ta shkruajmë atë!

Duhet të ruhemi nga reagimi “flakë për flakë”. Lehtësia e mundësisë për të reaguar mund të na bëjë më pak “socialë”. Unë, pas disa përvojave “të dhimbshme”, përpiqem të mos reagoj për çështje “acaruese” në Facebook. Më ndihmon të bluaj mendimet përpara se të flas.

Në internet “mëkatet nuk lahen”

Një imazh në internet është pothuajse e pamundur të fshihet. Një herë, pa u menduar, postova pa leje një artikull, ku përmendeshin emrat e disa miqve të mi. M’u deshën tri ditë punë për të hequr emrat e tyre nga lista e kërkimit në Google kur kuptova që miqtë dëmtoheshin nga artikulli. Ia dola! Por në parim, pasi “hedhim gurin, nuk e fshehim dot dorën”.Çfarë do të mendojnë të afërmit tanë kur shohin fotografitë? Çfarë ndikimi do të ketë imazhi ynë publik pas 5 vitesh kur të jemi duke konkurruar për një rol publik?

Edhe më shumë duhet të mendohemi kur flasim për imazhin e fëmijëve në internet. Çfarë do të mendojnë fëmijët kur, të rritur, të shikojnë veten?
Si do të ndikohet karriera e tyre? A do të ndiejnë siklet kur të shikojnë veten, bebe të zhytura në vaska uji? Fëmijët e mi po hidhen në dekadën e dytë të jetës. Kam filluar t’u kërkoj miratim për fotot dhe deklaratat e tyre, që dua t’i bëj publike.

Beso e kontrollo

“Problemi me citimet nga interneti është që nuk mund të kesh garanci në saktësinë e tyre”. Në rrjetet sociale, thënia e mësipërme i atribuohet në mënyrë ironike Abraham Linkolnit, i cili dihet që s’ka jetuar në epokën e internetit.

Saktësia e informacionit nuk është pika e fortë e rrjeteve sociale. Marrim lajme shpejt, por edhe marrim lajme të rreme më shumë. Përmes miqve të mi në Facebook, u njoha me historinë e një pastori, i cili e vizitoi kishën e tij i veshur si i pastrehë dhe gjatë vizitës vuri re që anëtarët e kishës, që në raste të tjera përbetoheshin për bindje të plotë ndaj Zotit, nuk e mirëpritën. Historia u bë një “hit” në rrjetet sociale.

Problemi? Një kërkim jo shumë i mundimshëm zbulon që historia nuk është e vërtetë. Pastori nuk ekziston. E as kisha e tij 10­mijëanëtarëshe nuk gjendet. Edhe përrallat na mësojnë. Por na mësojnë më shumë kur e dimë që janë përralla. Ndaj duhet të jemi të ndjeshëm ndaj përhapjes së informacionit që nuk është i saktë.

Të predikoj apo të dëgjoj?

Rrjetet sociale janë ndërtuar për ndërveprim. Në Twitter kemi 140 shkronja për të komunikuar. Në Facebook, pasi ke vendosur një postim, miqtë tanë kanë mundësi të na bëjnë “LIKE”, të na kundërshtojnë, të na miratojnë mendimin pjesërisht, edhe diskutimi mund të vazhdojë, derisa të shkruajmë një status tjetër!

Por nëse duam të shkruajmë një roman, e them me dhimbje këtë për ne që pëlqejmë të shprehemi gjerë e gjatë, duhet t’u rrimë larg rrjeteve sociale.

Që të mund të komunikojmë mirë, është mirë të shkruajmë shkurt. Dhe të përgatitemi të ndërveprojmë me njerëzit. Vështirë se mund të ndikojmë të tjerët me Lajmin e Mirë të Ungjillit të Krishtit duke ua përplasur në fytyrë “miqve” tanë të gjithë historinë biblike, nga fillimi në fund. Në të kundërt, duhet të përpiqemi t’i bëjmë miqtë tanë të mendojnë, të diskutojnë, e kështu përmes shkëmbimit të ideve, të gjithë bashkë, të mësojmë nga njëri­tjetri për ta dashur Zotin më mirë.

Dhe për ne që duam të ndikojmë, rrjetet sociale janë vendi më i mirë, jo për të folur, por për të dëgjuar!

Si të mbledh mendjen?

Disa studime thonë që mesatarja e kohës së përqendrimit është 5 sekonda. 10 vite më përpara ishte 12 minuta. Ndikimi i rrjeteve sociale ka sjellë këtë ndryshim dramatik. Thuhet që dëmet e shkaktuara nga mungesa e përqendrimit shkojnë në 1.6 miliardë sterlina në Britaninë e Madhe. A e ke vënë re, si unë, nevojën për të kontrolluar postën elektronike çdo minutë? A të ndodh, si edhe mua, që kalon orë të tëra në Facebook, duke lexuar rrjedhën e postimeve të 2­3 orëve të fundit? Si do të dukej dita nëse ke harruar celularin në shtëpi? Si ndihesh kur nuk i përgjigjesh një telefonate? Këto janë pyetje me të cilat testoj aftësinë time për t’u shpërqendruar. Disa e kanë zgjidhur këtë dilemë duke hequr dorë fare nga rrjetet sociale. Por ky reagim 180­gradësh është pothuajse i pamundur. Unë përpiqem të kem orare të planifikuara, ku lë mënjanë telefonin, kompjuterin e çdo pajisje tjetër teknologjike që më fton në ndërveprim. Një kohë “pushimi” periodike ndihmon të çlodhësh mendjen edhe të ndërveprosh më frytshëm me të tjerët. Vini re: po përpiqem!

Egoizmi

Si në çdo fushë tjetër, prirja jonë e natyrshme për t’u fokusuar më shumë te vetja sesa te të tjerët, del në pah edhe në rrjetet sociale. Egoizmi shkatërron jo vetëm marrëdhëniet reale por edhe ato virtuale. Shumë prej nesh jemi të lënduar që të tjerët s’na kuptojnë, s’na ndjekin, s’bien dakord gjithmonë me opinionet tona të mirëmenduara…

Në fund të fundit, edhe në hapësirën e pamasë të rrjeteve sociale, ndërsa shijojmë lirinë që kemi për të thënë botës çfarë të duam, kur të duam, shembulli i Jezusit, i cili hoqi dorë nga liria e tij për t’ju shërbyer të tjerëve, është modeli më i mirë i komunikimit… jo vetëm për hapësirën virtuale!