“Shoqja ime e ngushtë sapo u shtrua në spital. Si mund ta ndihmoj?”

spital

Nga Marie O’Toole

(“Ilira”, Maj 2017). Perkthues: Elson Farka. (Lexoni në anglisht ketu).

Të gjithë ne, në një moment të jetës, kemi pasur një mik apo të afërm në spital. Ndonjëherë është pikërisht fillimi i papritur i sëmundjes ai që i lë anëtarët e familjes së pacientit në një situatë të pakëndshme. Herë të tjera, një aksident fatkeq mund të çojë në muaj të tërë me trajtime dhe terapi fizike. Pavarësisht situatës, në fatkeqësi të tilla mjekësore, miqtë dhe familja janë ata që i duam më shumë pranë vetes. Cilat janë disa mënyra praktike si të tregohesh një “mik i vërtetë” kur një person i dashur për ty është sëmurë ose i plagosur?

Gjatë vizitës në spital

Të qenit vetëm në spital është shpesh e frikshme dhe pothuajse gjithmonë e mërzitshme. Ti me siguri dëshiron të vizitosh shoqen tënde, por si fillim informohu me rregullat e spitalit për vizitorët (orari i lejuar; nëse ajo është në reanimacion, nëse ajo mund të takojë vizitorë). Nëse shoqja jote sapo ka lindur fëmijë, sigurohu ta pyesësh për dëshirat e saj para se ta vizitosh – jo të gjitha nënat e reja duan vizitorë në spital, dhe preferojnë më shumë vizitat sapo ato të kthehen në shtëpi me foshnjat e tyre.

Tri gjëra që duhet të mbash mend kur të shkosh për vizitë në spital:

  • Respekto kohëzgjatjen e vizitës

Në varësi të gjendjes mjekësore të shoqes tënde, ajo mund të ketë nevojë për më shumë pushim sesa mendon ti, dhe mund të mos jetë e aftë të përqendrohet në bisedë për një kohë të gjatë. Kjo është veçanërisht e vërtetë në rastet me sëmundje të rënda, ose nëse shoqja jote po merr mjekim për dhimbjen, e cila mund të shkaktojë përgjumje ekstreme. Nëse ajo është në të njëjtën dhomë me një paciente tjetër, mos qëndro më gjatë se një orë sepse vizitat e gjata e bëjnë të vështirë që ajo të pushojë.

  • Laj duart me sapun antibakterial para se të hysh në dhomë

Shumë infeksione përhapen në spital, dhe hapi i parë i parandalimit është larja e shpeshtë e duarve. Nëse shoqja jote ka sistem imunitar të ulur, (për shembull, nëse ajo po trajtohet me kemoterapi), kjo gjë është shumë e rëndësishme. Masat paraprake, siç janë vendosja e maskës dhe e dorezave, përdoren shpesh nga vizitorët e pacientëve me kancer. Të qenit e kujdesshme sidomos me higjenën (dhe shtyrja e vizitës nëse je vetë sëmurë) është shumë e rëndësishme për mirëqenien e shoqes tënde.

  • Letrat (dhe gjërat e tjera personale) kanë domethënie të madhe

Gjatë qëndrimit të tyre të gjatë në spital, pacientët do ta vlerësonin shumë faktin që miqtë po mendojnë dhe po luten për ta. Është kënaqësi (dhe të ndihmon të kalosh kohën) të shikosh albumet e fotografive dhe të kujtosh gjërat që keni bërë bashkë, të lexosh shënimet personale, ose kur asaj i pëlqen një libër që ti e ke zgjedhur kur po mendoje për të. Librat janë dhurata të shkëlqyera, ashtu siç janë edhe pajisjet elektronike. Mos sill tullumbace, sepse shumë pacientë kanë alergji nga lateksi.

Në varësi të gjendjes shëndetësore të shoqes tënde dhe të dëshirave personale të saj, mund të jetë një ide e mirë që të mos sjellësh fëmijë të vegjël në spital. Gjithashtu, vizitat gjatë mbrëmjes duhen shmangur, sidomos kur ka shumë vizitorë në të njëjtën kohë. Duhet të konsiderosh edhe pacientët e tjerë, sepse zhurmat që bëjnë vizitorët mund ta bëjnë të vështirë për ata të pushojnë. Mos harro që shoqja jote mund të mos jetë në gjendje të përqendrohet te ti, ose të qëndrojë zgjuar për shumë kohë, gjë që është krejtësisht normale dhe e kuptueshme.

Miqtë dhe anëtarët e familjes që vizitojnë pacientët me sëmundje kronike, ose ata që qëndrojnë gjatë në spital shpesh marrin me vete shtiza për të bërë punë dore, ose gjëra të tjera sa për të mbajtur duart e tyre të zëna, ndërkohë thjesht rrinë ulur në heshtje. Nuk është e nevojshme të bisedosh me të gjatë gjithë kohës; vetë prania jote është inkurajuese.

Kur Ajo Kthehet në Shtëpi

Mos harro që shoqja jote ka nevojë për ty edhe pas largimit nga spitali. Nëse ajo ka një familje, me shumë mundësi ata janë mbledhur së bashku për t’u kujdesur për të dhe për dhe njëri-tjetrin gjatë qëndrimit të saj në spital, dhe një ndihmesë sado e vogël nga ana jote do të ishte bekim për ta. Pasi kthehet në shtëpi, disa mënyra për t’i shërbyer asaj teksa ajo vazhdon të shërohet janë:

Të bërit pazar. Kjo është shumë e vështirë për t’u realizuar nga dikush që po shërohet nga një sëmundje. Të shkosh të bësh pazar dhe të blesh listën e gjërave që shoqja jote ka nevojë është një ndihmesë e madhe për të.

Të gatuarit. Një vakt i gatuar nga një mik do të thotë një mbrëmje më pak për të qëndruar në këmbë në kuzhinë. Përdorimi i ushqimeve të ngrira për t’i konsumuar më vonë (për shembull, supat; mishi i pjekur) është gjithmonë një ide e mirë.

Kujdesi për fëmijët. Nëse shoqja jote ka fëmijë të vegjël, do të ishte një bekim i vërtetë për të nëse ti del shëtitje ose kujdesesh për ta për disa orë. Fëmijët e vegjël, edhe pse janë gëzim familjar, kërkojë shumë përkushtim dhe kujdesje e cila të lodh shumë dhe kështu shëtitjet për disa orë i mundësojnë shoqes tënde një pushim shumë të nevojshëm.

Kur një grua është e shtruar në spital, familja e ndien shumë mungesën e saj dhe me siguri edhe kjo e fundit do ketë nevojë për ndihmë. Dhembshuria që ti i tregon gjatë vizitës dhe siguria që nevojat e saj janë plotësuar pasi ajo shkon në shtëpi, mund ta inkurajojnë jashtëzakonisht shumë, dhe ta ndihmojnë për t’u shëruar më shpejt. Mos harro se kur je duke ndihmuar shoqen tënde, ti je duke u shërbyer edhe nevojave të burrit dhe të fëmijëve saj (nëse ajo ka) dhe në këtë mënyrë je gjithashtu edhe “aroma e Krishtit” (2 Korintasve 2:15).

“Unë i Kam Pasur Flokët si të Tutë”

Nga Marie (Notcheva) O’Toole

hair_albLexoni në anglisht ketu.

Në karrierën time si përkthyese në mjekësi, një nga vendet ku kam punë çdo javë është një spital shumë i njohur i kancerit në Boston. Me një arredim të bukur të brendshëm dhe një staf të dashur e të mirëtrajnuar për të ruajtur dinjitetin e pacientëve, ai të jep më tepër ndjesinë e një hoteli me 5 yje, sesa të një spitali. Kjo bëhet qëllimisht: kanceri është një sëmundje e tmerrshme, sinonim me vuajtjen dhe, çfarëdo mase rehatie që u ofrohet pacientëve dhe familjeve, është hartuar për t’i ndihmuar që t’i largohen atij tmerri.

Dhimbja që kanceri shkakton nuk është vetëm fizike.

Kati i kemoterapisë

Jo shumë kohë më parë, isha ulur në një pavion te kemoterapisë me një pacientin tim (një burrë i moshuar nga Bullgaria me një prognozë të mirë). Trajtimet zgjasin disa orë, kështu, mbasi ndihmova pacientin të nënshkruante formularin e Pranimit të Trajtimit, u rehatova si pa mendje duke parë Instagramin dhe Facebook-un në telefonin tim. Një grua e re që po merrte kemoterapi e ulur ndoshta 2-3 metra përballë meje, dukej sikur nuk po m’i ndante sytë. Nuk dukej e lumtur. Askush të cilit i futen helme në trup nuk pritet të duket i lumtur. Sa herë që ngrija kokën, ajo largonte shikimin.

Të tretën herë që ktheva sytë në drejtimin e saj, e pashë në sy dhe i buzëqesha. “Mot i çuditshëm, apo jo?”, ishte fraza e mençur që doli nga goja ime. Duke e shpërfillur komentin tim, ajo zbrazi çfarë kishte qenë duke menduar:

“Unë i kam pasur flokët si të tutë”.

Toni i saj i zërit ishte i përzishëm. Ishte vështirë të dalloje se çfarë moshe kishte, sepse kemoterapia ka edhe efektin anësor të fryrjes së fytyrës së pacientit. Të kuptuarit sa është përhapur kanceri, opsionet e trajtimit dhe pritjet e jetëgjatësisë ndonjëherë duken më abstrakte sesa humbjet e momentit, të flokëve të fertilitetit, të bukurisë fizike për gratë. Pashë e shokuar që përveç infermieres, isha e vetmja grua në atë dhomë që kishte flokë. E shoh këtë çdo ditë dhe duket sikur jam bërë më pak e ndjeshme. I shikoj pacientët si “raste mjekësore”, por nuk mundem të futem plotësisht në dhimbjen e tyre, ose në ankthin e një gruaje të re për humbjen e flokëve.

Dhe këtë doja.

E ruajta kontaktin me sy. “Më vjen shumë keq që ke humbur flokët,” i thashë. “Duhet të ketë qenë shumë, shumë e vështirë për ty.” Sytë iu mbushën me lot dhe vetëm tundi kokën. Jam e sigurt që nuk kishte nevojë t’ia kujtonin që “do të të rriten prapë” ose t’i thuhej “Oh, janë vetëm flokë!” për të njëmijëtën herë. Ishte dhimbje. Ajo kishte nevojë që dikush ta pranonte këtë fakt.

Edhe flokët e kokës suaj janë të numëruara

Si të krishterë, ne jemi kaq të shpejtë për t’u fokusuar në “gjërat atje lart” dhe në “frytet shpirtërore”, saqë është pothuajse një tundim që t’i kalosh përciptas gjërat e përkohshme (si puna e humbjes së flokëve), ose edhe të kapërcejmë shqetësime të tilla si thjesht kotësi. Por dëshira për t’u dukur dhe për t’u ndier e bukur është kaq thellësisht e ngulitur në të gjitha gratë kudo, saqë ta ulësh këtë si një vogëlsi, do të ishte e pashpirt dhe e pandjeshme. Unë besoj se ky aspekt i kancerit është më i vështirë për gratë sesa për burrat (burrat më të vjetër ndonjëherë edhe bëjnë shaka për rënien edhe të atyre dy fijeve që u kanë mbetur). Për një grua, nuk është aspak shaka. Është një tragjedi e pashoqe. Nuk është e mundur, e as e përshtatshme, të futësh me forcë një shkak të tillë hidhërimi, në kallëpet teologjike. Është shumë më e rëndësishme që thjesht të tregosh përkujdesje…, ashtu si Krishti do të bënte, dhe bën, për çdo aspekt të jetës së saj (Luka 12:7).

Dashamirësia e thjeshtë shpeshherë ndodh larg zyrave të këshillimit. Si mund ta këshillojmë një grua që hidhërohet për humbjen e flokëve të saj, apo për heqjen e gjirit? Ne sigurisht që duhet t’i ofrojmë sigurinë që ajo prapë është e bukur në sytë e Perëndisë dhe që ajo duhet ta besojë të ardhmen e saj në duart e Tij. Ka, me shumë mundësi, shumë mënyra se si ne mund ta inkurajojmë atë në marrëdhënien e saj me Zotin ndërsa përleshet me dhimbjen e një sëmundjeje (ndonjëherë drejt vdekjes). Por nuk ka nevojë të jemi këshillues (apo të dimë shumë teologji) për të ofruar atë lloj kujdesi për të cilin një grua ka nevojë dëshpërimisht në kohë të tilla.

Prova e recipetave

Të nesërmen u ktheva në të njëjtin spital për të përkthyer për një grua të vjetër që kishte humbur njërin gji. Ky nuk ishte një takim mjekësor. Ajo do të bënte prova për një recipetë dhe protezë të veçantë në butikun e spitalit. Asistentja gazmore e ndihmoi pacienten që të zgjidhte një palë recipeta të modës me ngjyra pranverore; u sigurua që gjithçka të ishte në simetri; disa herë ia përsëriti se sa mirë i rrinin. Dhe gjëja më e bukur ishte se ajo ishte krejtësisht e sinqertë. Kur pacientja i mori recipetat, filloi të qante ndërkohë duke i kërkuar falje asistentes për shenjën e saj të shëmtuar të mastektomisë. Gruaja e re fshiu lotët, e përqafoi atë dhe e siguroi që ajo ishte e bukur.

Kjo, shumë më tepër sesa testet e gjakut apo rezultatet e skanerit, është shpeshherë çfarë një grua ka nevojë të dëgjojë. Qe një moment tepër prekës, dhe përforcoi një mësim në përkujdesje që dua ta mbaj mend jo vetëm në këshillim, por edhe në jetën e përditshme të krishterë. Të gjitha gratë kanë pasigurira, dhe kur ne jemi të ndjeshme ndaj nevojave të njëra-tjetrës për inkurajim dhe siguri, Perëndia gjithmonë na jep mundësira për ta ndërtuar njëratjetrën.

Një nevojë e vlefshme për bukuri…dhe dashuri

Kaq shpesh në dishepullizim, ne jepemi kaq shumë pas teologjisë dhe “parimeve biblike” që zbatohen në një situatë (që janë kyçe, sigurisht), saqë harrojmë nevojat e thjeshta, bazë, që janë dhënë nga Krijuesi. Sigurisht që rritja shpirtërore është e një rëndësie më të lartë se pamja. Askush nuk do ta mohonte këtë, dhe është ngushëlluese të kujtosh përkufizimin e Perëndisë për bukurinë: “një shpirt i butë dhe i qetë” (1 Pjetri 3:4). Por kemi edhe lejen që të “qajmë me ata që qajnë…. të pikëllohemi me ata që pikëllohen” (Romakëve 12:15). Edhe nëse janë të pikëlluara “vetëm për flokët”, apo se kanë humbur bukurinë fizike, gratë, ashtu si dhe burrat, janë bartëse të imazhit të Perëndisë dhe dëshira për të reflektuar bukuri është e mirë, legjitime dhe, kur kanalizohet siç duhet, është një dëshirë e perëndishme. Kur vuajnë këtë lloj humbjeje personale, gratë nuk kanë nevojë për fraza apo vargje nga Bibla që janë ngazëllyese. Ato kanë nevojë për përkujdesje, përqafime, siguri që ato akoma janë të bukura dhe kanë shumë për të dhënë. Dhe ndoshta kanë nevojë për një mike që t’i nxjerrë për të blerë recipetat apo ndonjë shall të bukur.

Rrugëtimi i Sonila Potter

ilira_christmas_16Nga Marie Notcheva

Ky artikull është publikuar në numrin dhjetor 2016 “Ilira”.

Sonila  dymbëdhjetëvjeçare  donte një akullore. I futi duart ngadalë në xhepat e palltos së vjetër të të atit, duke parë mos gjente ndonjë lek të blinte një. Ajo që gjeti në fakt e intrigoi: një varëse me një burrë të varur në një kryq. E hutuar shkoi tek e ëma, e cila po bënte darkën. “Ma, çfarë është kjo? Kush është ky burri?”.

E ëma u kthye me kurriz nga soba, me një vështrim të frikësuar në sy. “Ku e gjete këtë?”, – e pyeti ajo. Liliana, nëna e Sonilës, kishte arsye të fortë të kishte frikë në vitin 1989: familja e mbante të fshehur origjinën ortodokse greke të babait të Sonilës nga frika e ndëshkimit nga regjimi Hoxha-Alia. “Çoje atje ku e more Sonila! Është mall kontrabandë”, – e paralajmëroi Liliana. Më vonë ime më më tregoi sekretin se kryqi portretizonte Jezu Krishtin dhe që Ai vdiq për mëkatet tona. Ajo më tha që, “Nëse i lutesh, Jezusi do të të dëgjojë”, – sjell ndër mend Sonila. “Ajo më ndaloi rreptësisht t’u tregoja të tjerëve për Të, sepse mund të na arrestonin të gjithëve”.

Shembulli pa fjalë i një nëne

Edhe pse Sonila kishte një besim fëmije dhe donte të dinte më shumë për këtë Perëndi i Cili e donte, vetëm kur u bë 15 vjeç, në vitin 1991, mundi të dëgjonte Ungjillin dhe të kuptonte kush ishte Personi dhe vepra e Jezu Krishtit. “Lutesha si fëmijë kur prindërit më treguan për Perëndinë, por nuk kisha njohuri për mëkatin”, – thotë ajo. “Në vitin 1991, kur filluan ndryshimet, misionarët po shpërndanin Ungjillin e Lukës të përkthyer në shqip në një kishë në Tiranë dhe aty mora një kopje. Isha kaq e etur për ta lexuar! Në faqen e fundit ishte një lutje dhe ndihesha sikur më në fund po më hapeshin sytë”, – thotë ajo. “Ndërsa lutesha, fjalët më dilnin drejt e nga zemra. Më në fund kuptova dhe qava ndërsa ia rrëfeva mëkatin tim këtij Zoti, të cilin më në fund mund ta njihja. Ndjeva dashurinë e Perëndisë që më mbështolli të tërën në kuptimin e vërtetë të fjalës”.

Tashmë e lirë për të shkuar në kishë, me nxitjen e prindërve Sonila shkoi në njërën nga kishat e para ungjillore në Tiranë. Pavarësisht vështirësive të jetës në fillim të viteve ’90, si Sonila ashtu edhe vëllai i saj, Genti, u bënë ndjekës të Krishtit, dhe kjo vinte në një farë mënyre edhe nga kuraja dhe besimi i prindërve të tyre. “Ime më ishte këshilluesja ime më e mirë”, – thotë Sonila. “Në fund të jetës së saj, ndërsa vuante nga tumori, më tha: “Mos qaj për mua, Sonilë. Po shkoj të takoj Bariun tim”. Ishte një shembull të cilin vajza e re nuk do ta harronte kurrë dhe dëshmia e nënës së saj mbolli një dashuri të thellë për Perëndinë dhe të tjerët në zemrën e Sonilës.

Sonila3.jpg
Pak pas mbërritjes në Hollandë, 1998

Kur mbushi 20 vjet ajo kishte pasion për punë misionare dhe dëshironte fort ta shihte Ungjillin të predikohej te njerëz të pashpëtuar në Azi dhe në gjithë botën. “Në moshën 20 vjeçe nuk dija pothuajse fare anglisht dhe nuk kisha shumë të holla. Mendoja: ‘Si mund të më përdorë Perëndia mua, një shqiptare që s’di anglisht?’. Kështu që u luta që Ai thjesht të dërgonte dikë tjetër”, – sjell ndër mend ajo. Por Perëndia kishte plane të tjera. Po atë vit (1998) Ai hapi një derë për mua që t’i shërbeja në një hostel të rinjsh të krishterë në Amsterdam të Hollandës. Kisha mundësi t’u flisja për Ungjillin bujtësve në hotel dhe t’u shërbeja në nevojat e tyre emocionale. “Në një konferencë të krishterë në të cilën ajo mori pjesë bashkë me një shoqen e saj amerikane, ato vendosën të bëhen misionare dhe të shërbejnë për dy muaj në Filipine me YWAM (Të rinj me një mission). Menjëherë paskëtaj, Sonila pati mundësi afatshkurtra misioni në dhjetë vende të ndryshme aziatike, ku shërbeu me fëmijët, adoleshentët dhe nënat e reja që jetonin në varfëri ekstreme.

Studio për ta treguar veten  të miratuar…

Ndërsa pasioni i Sonilës për t’i shërbyer Perëndisë rritej, po kështu shtohej edhe dëshira e saj për të mësuar. “Zoti më dërgoi në një shkollë biblike në Gjermani për më shumë mësim dhe njohuri më të thellë të Fjalës së Tij”, – thotë ajo e mahnitur. Me një njohuri më të mirë të anglishtes, ajo tashmë mund të punonte si përkthyese vullnetare e Biblës Wycliffe dhe në Shkollën Biblike Capernwray në Angli. “Ndërsa shërbeja në Azi, lindi në mua një përkujdesje dhe dhembshuri për njerëzit, por më mungonte një njohuri e gjerë [doktrinare]”, – thotë ajo. “Po mendoja të studioja psikologji që të bëhesha terapiste, duke menduar se kjo ishte një mënyrë e mirë për t’i ndihmuar njerëzit. Fatmirësisht, shkolla biblike ofronte kurse këshillimi biblik. Lexova në internet mbi ndryshimin mes këshillimit biblik dhe se ku bazohej psikologjia… dhe vërtet e ndjeva se Perëndia më mbrojti nga e tatëposhta”. Sonila mori diplomë të shkollës së lartë në këshillim biblik dhe më vonë një diplomë të dytë nga Wayne Johnston, Presidenti i Shoqatës së Këshillimit Biblik dhe një Dishepullizimit, duke ndjekur kurse në internet dhe duke studiuar në mënyrë të pavarur.

Sonila1.jpg
Me Peter Reid, Drejtor i Kolegjit Biblik në Bodenseehof, Gjermani, 2001

Ardhja në Amerikë –  Sfidat dhe Mundësitë

Në vitin 2006, burri që do bëhej një ditë bashkëshorti i Sonilës, po shërbente me ushtrinë amerikane në Afganistan. Sonila, e cila jetonte në Angli, e ‘takoi’ Emmett Potterin në një komunitet të krishterë në internet. Dy javë pas bisedës së tyre të parë, Emmett-i dhe Sonila u takuan në Londër. Po krijohej një miqësi dhe Emmett-i i dhuroi Sonilës një DVD të kreacionistit Kent Hovind që ta shikonte para se të kthehej në Shqipëri.

“Ne e vazhduam komunikimin për disa muaj dhe më vonë Emmett-i erdhi në Shqipëri për tri ditë dhe u takua me familjen time”, – thotë Sonila. “Sa herë kishte pushime, ai vinte në Shqipëri dhe ne u martuam në vitin 2007. U deshën tetë muaj që të më dilte viza, dhe kur mbërrita në Miçigan (SHBA), organizuam një ceremoni të dytë martesore”. Ata jetuan gjashtë muaj në Miçigan dhe më pas u zhvendosën në Masaçusets, ku kanë jetuar këto shtatë vitet e fundit. Nuk është e lehtë të jetosh besimin e krishterë në Amerikë, dhe çifti, që ka tanimë tre fëmijë të vegjël, është përballur me sfida.

“Ka një ndjenjë shumë më të fortë komuniteti në Shqipëri. Kur të vijnë miq për vizitë në shtëpi, ata janë pothuajse si familje për ty”, – shpjegon Sonila. “Këtu kjo gjë mungon. Ka ftohtësi,Sonila4.jpg një ndjenjë largësie, veçanërisht këtu në Masaçusets. Kisha thotë që është një familje, por njerëzit vijnë e ikin… rrallë i sheh të vijnë për herë të dytë. Nuk gjendet ajo ndjenja e miqësisë së vërtetë, e të investuarit në jetët e njëri-tjetrit, siç e kemi ne në Ballkan. Jemi prej kaq vitesh këtu, por nuk ndihemi tamam pjesë e një ‘familjeje’ të kishës”, – thotë ajo.

Është çështje tjetër pastaj të rritësh fëmijët në njohjen e Krishtit. Shkollat e krishtera janë të shtrenjta në SHBA dhe Sonila e pranon që ka presion nga ambienti përreth për të kompromentuar bindjet që ka familja e saj. “Ne nuk e festojmë Hallouinin dhe as u mësojmë fëmijëve që të besojnë në Plakun e Vitit të Ri”, – shpjegon Sonila. “Festat janë për të lavdëruar Jezusin
dhe vetëm Atë. Të tjerët jo gjithmonë e kuptojnë apo respektojnë vendimin tonë në këtë drejtim”. Sonila aktualisht po ndjek studimet master në edukim fetar dhe po jep mësim në një shkollë të krishterë, kur bindjet e saj kanë hasur sfida.

Sonila2.jpg
Me instruktorin në Kolegjin Biblik në Bodenseehof, 2001

Krishterim pa kompromis

“Më pëlqen shumë të lexoj nga puritanët”, – thotë gruaja shqiptare që ka një librari të tërë mbushur me komentarë në anglisht. “Shkrimet e Thomas Watson dhe Thomas Brook janë të preferuarat e mia dhe librin e Richard Baxter “Kura për trishtimin” e përdorim shpesh në këshillim biblik. Sot predikojnë një ‘ungjill të holluar’. Në të kaluarën, këta burra të mëdhenj flisnin për mëkatin”, – thotë ajo. “Charles Spurgeon, Princi i Predikuesve, nuk kishte frikë t’i paralajmëronte njerëzit për të keqen”. Sonila flet se si mungesa e dëshirës që shumë pastorë amerikanë kanë për të predikuar mbi mëkatin është një nga arsyet pse kompromisi dhe lëshimi moral janë kaq problem në disa kisha amerikane.

Megjithatë, ishte nëpërmjet ar- dhjes fillimisht në Angli dhe më pas në Shtetet e Bashkuara që Perën- dia hapi shumë më tepër dyer mundësish që Sonila Potter t’i shërbente Atij. Nuk ka mundësi më të mira për studim teologjik dhe tani Sonila i përdor këto në shërbesën e saj si këshilluese biblike. Ajo tashmë ka mundësi t’u shërbejë grave në dy gjuhë, çka është një pasuri e çmuar (jetojnë 16,000 shqiptarë në shtetin e saj Masaçusets dhe ka pak apo aspak kisha ungjillore shqiptare). Dhe me hirin e Perëndisë, kjo nënë me tre fëmijë është plotësisht e lirë t’i rrisë fëmijët e saj në dashurinë dhe njohjen e Perëndisë, pa pasur nevojë t’i fshehë në xhepa xhaketash simbolet e besimit të tyre.

Takim me Zotin në bregun e Jonit

titlepicKy artikull është publikuar në “Ilira”, dhjetor 2016. Mund të lexoni në anglisht ketu.

“A do të shqetësohesh për opinionin e njerëzve këtu, apo për opinionin e Zotit? Opinioni i njerëzve nuk do të ngrejë shumë peshë kur të jesh para fronit të gjykimit”.

Charles Studd, Misionar i shekullit të 19të

A është e mundur që ndërsa je e rrethuar nga njerëz të ndihesh krejtësisht e vetmuar? Ne duam që njerëzit rrotull nesh ta vlerësojnë praninë tonë, ta çmojnë miqësinë tonë, të shuajnë dyshimet tona, të na mbështetin në sfida, të shërojnë lëndimet tona më të thella. E thënë shkurt, ka mundësi që ne kërkojmë nga njerëzit atë që vetëm Zoti mund të na e japë: përmbushje, paqe dhe dashuri pa kushte. Padyshim, Zoti i përdor fëmijët e vet për të inkurajuar dhe për të mësuar njëri-tjetrin, por është shumë e lehtë që opinionet e të tjerëve t’i kthejmë në idhull.

Skenari i parë është i shëndetshëm dhe na afron më shumë me Zotin. Galatasve 6:2 na thotë të “mbajmë barrët e njëri-tjetrit” dhe të kërkojmë këshillën e urtë të vëllezërve e motrave të krishterë si një aspekt i rëndësishëm i rritjes shpirtërore. Gjithsesi, skenari i dytë, mbivlerësimi i këndvështrimit, opinionit apo sjelljes së të tjerëve ndaj nesh, ndonjëherë edhe deri në dëshpërim, është një kurth. “Frika e njeriut” mund të na largojë nga Zoti kur ne lejojmë që opinionet e të tjerëve të bëhen më të rëndësishme sesa mënyra si na sheh Zoti. Kjo mund të ndodhë kur ne besojmë që të krishterët flasin në emër të Zotit kur na lëndojnë, ose thjesht duke hequr dorë nga lutja për njëfarë kohe. Kur ne e harrojmë ‘zërin’ e Zotit, zërat e të tjerëve do ta mbytin zërin e Tij.

“Frika nga njeriu” (edhe njeriut të kishës) na thotë që nuk jemi mjaft të mirë kur të tjerët vënë në dyshim motivet e veprimeve tona, na akuzojnë padrejtësisht, bëjnë thashetheme ose gjykojnë vendimet tona, pa i ditur rrethanat ku ndodhemi apo parimet shpirtërore që na udhëheqin. Kjo është e dhimbshme, turbulluese dhe disa nga ne që janë natyra të shoqërueshme, instinktivisht do të kërkojnë njerëz të besueshëm për të qenë në shoqërinë e tyre. Në njëfarë mënyre ne do të ndihemi më mirë në praninë e miqve tanë; do të ndihemi përsëri të vlerësuar, ose të paktën do të kemi mjaft shpërqendrim, sa për të mos menduar për ndjenjat tona.

Unë e di që kjo është e vërtetë, sepse pas 25 vitesh si e krishterë, Zotit iu desh të më sillte në anën tjetër të botës (relativisht e izoluar) për të më tërhequr vëmendjen.

Kur Zoti shfaqet papritur

Gjatë vitit të kaluar unë mora vendimin e dhimbshëm për t’i dhënë fund martesës sime. Divorci është një ngjarje tmerrësisht e dhimbshme, dhe aq më tepër kur ndodh midis dy të krishterëve, për shkak të ‘njollës’ që e shoqëron këtë vendim. Megjithëse kisha mjaft mbështetje biblike për divorcin, për hir të qetësisë së fëmijëve të mi nuk i tregova detajet (përveç disa njerëzve të cilët duhej t’i dinin). Shumica e personave që e njihnin situatën tonë, treguan dhembshuri të pamasëdhe mbështetja më erdhi nga nuk e prisja. Megjithatë, ata të krishterë të cilët nuk e njihnin situatën tonë apo rrethanat që më shtynë drejt divorcit, filluan të më gjykonin. Kjo e lëkundi besimin tim te kisha dhe si pasojë edhe te Zoti.

Megjithëse miqtë e mi nga kisha të tjera më çuan në vende të qeta, më përfshinë në studime Bible dhe kaluan shumë orë duke më folur dhe duke u lutur për mua, përsëri lëndimi i shkaktuar nga personat, opinionin e të cilëve e quaja të ‘rëndësishëm’, më bëri të ndihesha konfuze në lidhje me Zotin, ndërkohë që isha duke i shërbyer Atij. Mezi po prisja të vinte gushti, gjatë të cilit kisha planifikuar të shërbeja në Kampet e të Rinjve {në Nju Hempshire (New Hampshire) dhe në Shqipëri}, të kaloja kohë me fëmijët e mi dhe të shërohesha. Një nga gjërat që më jepte gëzim dhe mezi po e prisja ishte ritakimi me motrat dhe vëllezërit e dashur në Krishtin në Shqipëri, me të cilët isha miqësuar gjatë kampit të vitit të kaluar. Unë kisha ‘nevojë’ për ta, për praninë e tyre, kisha nevojë për miqësinë e tyre, kisha nevojë të qeshja.

Pas tri ditësh në Tiranë, unë mora autobusin për në Sarandë, ku do të takohesha me ata që do të më çonin në kamp. E lënduar nga sjellja e miqve të mi dhe e shqetësuar nga ideja që duhej të flisja me drejtuesit e kampit për situatën time, qava në heshtje pothuajse gjatë gjithë udhëtimit 7 orësh. Si për ta rënduar edhe më keq situatën, shumica e personelit me të cilët isha miqësuar më shumë nuk erdhi në kamp këtë vit për arsye nga më të ndryshmet. E rrethuar nga kampistë të rinj dhe të panjohur, personel i ri dhe nga gjuha shqipe, u ndjeva edhe më e vetmuar se më parë. Kujtimet e bukura të së kaluarës më bënë të ndihesha akoma më e trishtuar për ditë me radhë dhe fillova të pyesja veten se çfarë bëja unë në atë vend. E rrethuar nga 70 persona dhe një skuadër të krishterësh shqiptarë, u ndjeva plotësisht në ajër dhe e panevojshme.

Kështu që kaloja kohë vetëm me Zotin. Ai ishte i vetmi që shihte lotët e mi. Ecja mbi skelë, shikoja perëndimin e diellit mbi Jon dhe ulesha e rrija aty për orë me radhë. Disa herë lexoja Biblën; disa herë vetëm mendohesha, por gjithmonë e kuptoja që isha në praninë e Atit tim, i cili ishte Mbrojtësi dhe Mbështetësi im. Unë e dija që Ai e kishte orkestruar gjithçka në mënyrë të përsosur, por më duhej ta përjetoja këtë në nivel emocional dhe kjo është shumë e vështirë të ndodhë kur ti je duke u arratisur nga emocionet e tua.

Një nga mësimet në anglisht që po u mësonim fëmijëve tregonte si ta vendosje opinionin e Zotit mbi atë të njerëzve. Kjo ishte tepër specifike për të qenë një rastësi. Zoti po më fliste mua drejtpërsëdrejti. Kishte mëngjese kur doja të largohesha nga grupi i diskutimit, të cilin e drejtoja bashkë me një anëtare skuadre nga Britania; të vërtetat themelore për dashurinë e Zotit që po u mësonim fëmijëve ishin premtime të harruara prej kohësh, për shkak se nuk e besoja më që mund të zbatoheshin në rastin tim.

Na tërheq në anën tjetër të botës… për të na detyruar ta dëgjojmë?

Këtu filloi edhe shërimi im. Si për të më siguruar mua që Ai ishte pranë, mora një mesazh nga një anëtare e re britanike e skuadrës, (e cila nuk më njihte aspak) një ditë pasi u largua nga kampi, duke më pyetur nëse isha mirë. Pasi i tregova një version të përmbledhur të ngjarjeve, ajo u përgjigj:

“Unë të jam mirënjohëse që ke folur me personat në kamp dhe lutem që ata të kenë qenë mbështetje dhe inkurajim për ty. Unë e vlerësoj shumë ndershmërinë dhe sinqeritetin tënd me mua, duke më treguar atë që po ndodh realisht. Zoti ka një plan për ty, që të solli në Shqipëri këtë vit dhe unë lutem që ti me të vërtetë do të gjesh shërim nga gjithë vështirësitë që ke kaluar. Unë e di që Zoti ka plane të mira për ty, ashtu siç ka premtuar për popullin e tij.

“Në fund të fundit ne duhet të shqetësohemi, mbi të gjitha, për atë që mendon Zoti dhe të lutem mos harro, Ai na do pa kushte. Afrohu pranë Tij dhe lëri krahët e Tij të të mbrojnë. Mos e lëndo veten duke mos lejuar të përjetosh ato ndjenja që të vijnë. Zoti e di çfarë ndien ti. Unë nuk dua të mendosh që duhet t’i fshehësh ndjenjat e tua, apo që nuk po përfshihesh aq shumë sa duhet në kamp. Ndoshta Zoti do që kjo kohë që po kalon në Shqipëri të shërbejë për shërimin tënd nga lëndimi dhe ndjenjat e tua. Sa e mahnitshme është mënyra si na përdor Zoti në jetët e njëri-tjetrit. Unë e ndjeva fuqishëm Frymën e Shenjtë teksa më shtynte të bisedoja me ty dhe jam e sigurt që Zoti të ka rrethuar me kujdesin e Tij. Është e mahnitshme sesi Zoti na tërheq në anën tjetër të botës, për të na detyruar të dëgjojmë dhe për të na afruar te Vetja”.

Të jesh transparent ndërsa i beson Zotit

Drejtuesit e shërbesës, nën autoritetin e të cilëve shërbeja, janë miq të mirë, por unë kisha shumë frikë se mos më refuzonin apo më gjykonin pasi ta merrnin vesh për divorcin tim, pavarësisht arsyeve që kisha; por ndodhi krejt e kundërta. E mbushur me ankth, u ula dhe i shpjegova situatën time pastorit shqiptar dhe më pas drejtorit të kampit. Ata jo vetëm që e mbështetën vendimin tim, por më përkrahën si motrën e tyre, ashtu si përherë. Megjithatë, mësimi që më mësoi Zoti atë javë ishte që kjo nuk duhej të kishte rëndësi.

Ai më pranon, më do dhe gëzohet për mua. Opininoni i njerëzve (edhe i njerëzve të Tij) zbehet për nga rëndësia përpara Tij. Gjithsesi ishte çliruese të mbështetesha nga miq që shqetësoheshin për mua dhe më kuptonin. Pastor “Erioni” (ky nuk është emri i tij i vërtetë) kishte parë vetë një nga motrat e tij të përjetonte një eksperiencë të ngjashme me timen dhe ishte i vetëdijshëm për faktin që jeta jo gjithmonë ndjek besnikërisht udhëzimet biblike të pendimit dhe pajtimit. Vëllai im ballkanas, më shumë se çdokush tjetër, ndihej i çliruar për faktin që unë tashmë isha e sigurt, e shëruar, dhe po rifitoja vetëbesimin tim.

Ne si besimtarë nuk mund të jetojmë në boshllëk. Është e pamundur të hiqemi sikur opinionet, pranimi, dashuria apo aprovimi i të tjerëve, veçanërisht i vëllezërve dhe motrave të krishterë, nuk kanë rëndësi. Ne jemi krijuar për të jetuar në bashkësi dhe Zoti trishtohet kur bijtë e Tij krijojnë mëri me njëritjetrin. E megjithatë, për të shembur muret e turpit që nga largojnë prej Tij, Ai detyrohet të na izolojë në një vend nga i cili nuk mund të arratisemi më; dhe kur më në fund fillojmë të dëgjojmë zërin e Tij të së Vërtetës, Ai e pohon dashurinë e Tij ndaj nesh edhe përmes njerëzve të tjerë. Megjithatë, derisa të zbulojmë që Ai është i vetmi zë që ka rëndësi, ne do të ngecemi midis zërave të vetë konfuzionit dhe dyshimeve tona.

Unë duhej të ndihmoja të tjerët të kuptonin Fjalën e Zotit verën e kalredemption_picuar, por Zoti e përdori atë kohë për të sjellë hirin dhe shërimin e Tij mbi mua, në një kamp të largët bregdetar, pa miq të cilëve t’u besoja, gjysmë bote larg nga shtëpia ime. Shqipëria gjithmonë ka qenë shumë e veçantë për mua, por tani unë do ta kujtoj edhe si një vend ku Zoti më takoi në një mënyrë unike dhe thellësisht personale.

Këshillimi Biblik Lulëzon në Tokën e Shqiponjave

title.jpgNga Marie Notcheva

(ky artikull është publikuar në “Ilira Revista”, shtator 2016).

Çfarë është këshillimi biblik?

Në vitin 1656, puritani Riçard Bakster shkroi se vetë Shkrimi është i dobishëm për të krishterët “për t’iu hequr dyshimet, për t’i ndihmuar në luftën kundër mëkateve të tyre, për t’i drejtuar në detyrën e tyre dhe për rritje të njohurisë dhe të gjithë hirit shpëtues”.1 Ndryshe nga psikologjia, e cila ka një pikëpamje për jetën që është e përqendruar te njeriu dhe e kundërshton konceptin e ‘mëkatit’, këshillimi biblik bazohet në bindjen se Perëndia na ka folur përmes Shkrimit. Përmes Biblës, Perëndia na ka zbuluar gjithçka që duhet të dimë për Të, për veten tonë dhe për botën përreth nesh (2 Pjetrit 1:3).

Këshillimi biblik, i cili disa herë është quajtur “një hibrid mes dishepullimit dhe miqësisë biblike”, ka përfitimin shtesë të përgjegjshmërisë. Kur një i krishterë kërkon ndihmë nga një këshillues biblik i trajnuar për një problem shpirtëror të vazhdueshëm, ai apo ajo do të duhet të bëjë detyra shtëpie, të mësojë përmendësh disa pasazhe nga Shkrimi dhe të bëjë punën e vështirë të ndryshimit biblik ndërmjet sesioneve. Të mësosh ta kuptosh drejt Fjalën e Perëndisë dhe të ndihmosh njerëzit ta zbatojnë atë në jetën e tyre nuk është ide e re, por këshillimi biblik është rritur shumë në Shqipëri këto vitet e fundit.

Nga Bashkësia e Hirit,  me dashuri

Në vitin 2007, Kisha e Bashkësisë së Hirit (Grace Fellowship Church) në Kentucky, SHBA, dërgoi Bler dhe Suana (Blair dhe Sue Ann) Alvidrez në Shqipëri në një udhëtim misionar afatshkurtër. Pasi u vendosën në Lushnjë në vitin 2010, Bleri dhe Suana u bënë të parët këshillues biblikë në Shqipëri. Brenda pak viteve, Bleri po organizonte konferenca trainimi për shqiptarë që donin të mësonin si të këshillonin në kishat e tyre lokale. Pastorë amerikanë nga Shoqëria e Këshilluesve Biblikë të Certifikuar (Association of Certified Biblical Counselors) erdhën në Tiranë për të ndihmuar me trajnimin. Bashkë me Pastor Genci Cesulën, pastor kryesor në Kishën e Hirit në Tiranë dhe pastorë dhe misionarë të tjerë, Bleri themeloi Koalicionin e Këshillimit Biblik Shqiptar. “Këshillimi biblik po fiton mjaft popullaritet”, thotë Bleri. Ai dhe familja e tij kanë jetuar në Tiranë për disa vjet, ku ai punon bashkë me Genci Cesulën, duke dishepulluar dhe trajnuar pastorë të tjerë që synojnë certifikimin. “Shumë njerëz thanë në fillim, ‘Kjo nuk do të funksionojë këtu’”, thotë ai. Më shumë se në Amerikë, në Shqipëri njerëzit e kanë të vështirë të flasin lirshëm për problemet e tyre. Megjithëse betejat shpirtërore me të cilat përballen besimtarët janë të ngjashme në të gjithë botën, shqiptarët e kanë më të vështirë të kërkojnë këshillë. Kjo është pjesërisht për shkak të një mosbesimi të përgjithshëm ndaj autoritetit dhe një shqetësimi të përgjithshëm në lidhje me thashethemet. Megjithatë, me këmbëngulje dhe trajnim të vazhdueshëm, shumë njerëz tani po kërkojnë këshillim brenda kishave të tyre lokale. Disa pastorë shqiptarë i kanë përfunduar provimet e tyre të certifikimit dhe po këshillojnë tashmë, dhe disa nga gratë e tyre po ndihmojnë duke këshilluar gra dhe duke përkthyer libra.

ilira2

Fryti i shërbesës së përkthimit

Deri tani janë përkthyer në shqip 23 tituj në lidhje me këshillimin biblik, duke përfshirë këtu librin e Pol Trip, “Instrumente në duart e Shpenguesit”, një numër jo i vogël, sidomos kur e krahason me vendet fqinje ku teologjia e Reformuar dhe këshillimi biblik janë pothuaj të panjohur. Bashkësia e Hirit, kisha dërguese e Blerit dhe Suanës në Amerikë ka siguruar financa dhe njerëz për të ndihmuar; megjithatë, këshillimi biblik nuk është shpikje amerikane. Apostulli Pal, në letrat e tij, na jep modelin e parë të një këshilluesi i cili është vërtet biblik. Ai përdor Fjalën e Perëndisë për të mësuar besimtarët e rinj, për të inkurajuar kishat e përndjekura, për të bindur për mëkat besimtarët dhe për të pajisur ata që ishin në shërbesë. Pasi Bibla vetë u përkthye në gjuhë të tjera, Ungjilli u përhap në më shumë popuj sesa do të kishin arritur misionarët me mësimet gojore. Në mënyrë të ngjashme, parimet e këshillimit biblik mësohen kryesisht përmes konferencave, por koncepti prezantohet edhe më gjerësisht përmes literaturës.

Disa herë shërbesa e Fjalës duket se ndodh vetvetiu. Bleri tregon një incident kur makina e tij kishte nevojë për lavazh. Ai kishte qindra librushka të përkthyera në ndenjësen e pasme të makinës, në kuti që po shqyheshin. Ai me kujdes i vendosi ato në trotuar ndërsa kishte lënë makinën në lavazh dhe dy burra shqiptarë treguan shumë interes në atë literaturë. “Çfarë janë këto? A mund t’i shikojmë?”. Bleri u shpjegoi me gëzim që ato ishin librushka që flisnin për Perëndinë dhe se si të jetosh në mënyrë që t’i pëlqesh Atij. “A mund të blejmë disa?”, pyetën burrat.

Lajmi është përhapur në vendet fqinje të Ballkanit në lidhje me këtë këndvështrim “vetëm Shkrimi” të këshillimit të krishterë. “Ne tani kemi kontakte në Maqedoni”, thotë Bleri. Disa pastorë nga Shkupi morën pjesë në trajnimin e kohëve të fundit në Kishën e Hirit, dhe një kishë në Kosovë, që e ka mbushur librarinë e saj me materiale këshillimi, ka treguar interes për të dërguar përfaqësues.

Nga qumështi te mishi… progresioni i trajnimit

Deri tani janë mbajtur katër konferenca vjetore për trajnim në këshillimin biblik, të mbajtura në Durrës, Tiranë dhe Korçë. Bleri dhe pastorë të tjerë që kanë dhënë mësim atje, janë inkurajuar nga rritja që kanë parë në besimtarët që marrin pjesë. Tani, më shumë pastorë lokalë po e marrin trajnimin vetë në seminare një herë në dy muaj që quhen “module trajnimi.” Ato fokusohen në tema më specifike këshillimi si martesa, depresioni dhe problemet e kombinimit të psikologjisë me Biblën. Bleri thotë që ky trajnim i specializuar është efektiv dhe i ndihmon pastorët të mësojnë si t’u shërbejnë besimtarëve me Fjalën brenda kontekstit të kulturës së tyre. “Ne japim një rast studimor në çdo sesion dhe pjesëmarrësit diskutojnë se çfarë do të bënin”, shpjegon ai. “Është shumë e mrekullueshme të shohësh se si pjesëmarrësit po e përvetësojnë mësimin dhe se si procesi po hedh rrënjë”.

Ndikimi i këshillimit biblik po fillon të njihet edhe përtej mureve të kishës lokale, ndërsa Bleri, Suana dhe Koalicioni i Këshillimit kanë krijuar marrëdhënie me shkolla dhe klinika mjekësore. Klinika e krishterë ABC në Tiranë ka dërguar punonjës për të dëgjuar leksionet mbi ankthin dhe depresionin dhe u kanë kërkuar Blerit dhe pastor Genci Cesulës t’u dërgojnë këshillues biblikë.

Tabloja e madhe – kisha si pjesë e jetës

Ashtu si çdo kulturë post-moderne, edhe Shqipëria po përballet me pro-blemet e saj që shumë njerëz thonë që nuk kanë rrjedhoja shpirtërore. Pastor Cesula rreshton depresionin dhe problemet martesore midis çështjeve më të mëdha të këshillimit, por gjithashtu përfshin edhe pornografinë në atë listë. Imoraliteti seksual (veçanërisht pornografia) po bëhet shumë më i dukshëm sesa në vitet e shkuara, dhe pa një themel biblik, moraliteti konsiderohet subjektiv. Një nga synimet e dishepullimit dhe të këshillës vërtet biblike, është ta sjellësh ungjillin në të gjitha fushat e jetës së personit. Burrat dhe gratë e përfshira në shërbesën e këshillimit biblik përpiqen të komunikojnë që ‘kisha’ nuk është ndërtesë, por një trup dinamik besimtarësh të lidhur me njëri-tjetrin që ndihmojnë njëritjetrin të rriten. ‘Këshilla biblike’ nuk është thjesht të japësh përgjigje apo të citosh vargje; ajo kërkon që Kisha të veprojë ashtu siç e projektoi Perëndia – si një institucion dishepullbërës. “Është ngazëllyese të shohësh se si Perëndia po ngre njerëz nga e gjithë bota që janë të uritur për të mësuar përgjigjet biblike për jetën e tyre, dhe inkurajuese të shohësh përkushtimin e popullit të Tij kudo”, tha një pastor.

Shqipëria, e bukura “Tokë e Shqiponjave”, po përtërihet në forcë. Në Shkrimet, shqiponja është simbol i forcës dhe i aftësisë për të mbajtur shumë peshë (Eks. 19:4; LiP. 32:11). Në të njëjtën mënyrë metaforike, Shqipëria është ngritur brenda një brezi nga shtypja e ateizmit në një vend me një nga mjediset më të forta të krishtera në Ballkan. Falë punës së palodhur të një brezi të ri pastorësh dhe këshilluesish biblikë, ajo në mënyrë të sigurt po “ngrihet me krahë si shqiponja” ndërsa besimtarët e rinj e bëjnë të njohur Emrin e Tij.

photonotchevabookMari Noçeva (Marie Notcheva) është shkrimtare dhe këshilluese biblike e certifikuar nga INS nga Masaçusetsi. Libri i saj i parë, “Redeemed from the Pit: Biblical Repentance and Restoration from the Bondage of Eating Disorders” (Calvary Press, 2011) (“Shpenguar nga gropa: pendim dhe restaurim biblik nga skllavëria e çrregullimeve të të ngrënit”) është libër reference për këshilluesit që punojnë me njerëz me probleme anoreksike dhe bulimike. Maria është kontribuese e rregullt e blogut të Koalicionit të Këshillimit Biblik (The Biblical Counseling Coalition blog), dhe shkruan për revista të krishtera në Shqipëri dhe Bullgari. Ajo punon si përkthyese me kohë të plotë e bullgarishtes në Boston dhe ka katër fëmijë.
1 Richard Baxter, The Reformed Pastor, reprinted (New York: Robert Carter & Brothers, 1860), p. 346

Duke Mbajtur Plagët e Abuzimit Emocional

emotional-abuse

Nga Marie Notcheva

Ky artikull ishte publikuar në “Ilira Revista”, numri Maj 2016.

“Blerta” ishte e martuar prej 22 vitesh me një burrë që e kritikonte vazhdimisht. “A je e sigurtë se duhet ta hash atë? Je shumë e shëndoshë!”. Ai do të kontrollonte në detaj çdo moment të ditës së saj, aq sa ajo filloi të ndihej si skllavja e tij. Në fund, teksa ishte i trullosur një natë nga pija, ai i tha: “Ik! S’mund të jetoj më me një grua kaq të shëndoshë e të shëmtuar!”.

“Dorina” s’mban mend ta kenë përqafuar ndonjëherë prindërit, apo t’i kenë thënë se e duan ndërsa rritej. Babai dhe vëllai i saj filluan t’i vënë një nofkë të tmerrshme për ta tallur: “E pashpresa, e pazonja, e pavlera”. Për vite të tëra ajo eci me kokën ulur, pa guxuar të shohë njeri në sy.

“Ana” kishte rënë në dashuri me një djalë të ri, i cili kishte rënë në dashuri me veten. Shpërthime zemërimi, kërcënime “për t’u larguar” dhe sjellje të çoroditura dhe egoiste u bënë gjë e zakonshme për Anën. “Ai është thjesht një person “i ndërlikuar”, do të arsyetonte ajo. “E di që ai më do!”.

Edhe pse kurrë s’u goditën apo u rrahën, këto tri gra përjetuan të njëjtën gjë: ato ishin të abuzuara emocionalisht. Kjo lloj dhimbjeje zgjat shumë më tepër sesa plagët e goditjeve fizike dhe mund të falet e shërohet vetëm me ndihmën dhe shpresën e Krishtit.

 Çfarë thotë Bibla për abuzimin?

Kuptimi i drejtpërdrejtë i fjalës abuzim është të keqtrajtosh dikë, edhe pse ne shpesh e shohim ‘abuzimin’ vetëm në aspektin fizik. Keqtrajtimi apo abuzimi i të tjerëve është mëkatar për dy arsye: së pari, sepse njeriu është krijuar në imazhin e Perëndisë; dhe së dyti, sepse abuzimi e ka gjithmonë rrënjën tek egoizmi dhe shkakton humbje e shkatërrim. Njerëzit i abuzojnë të tjerët për një sërë arsyesh, por egoizmi qëndron në rrënjë të të gjitha abuzimeve. Kur ne nuk e kontrollojmë siç duhet zemërimin, kjo çon në sjellje abuzive dhe mëkatare. Çështjet e zemrës i kanë rrënjët te krenaria; të vendosësh veten mbi të tjerët; të shpërfillësh ndjenjat e tij apo të saj dhe të mos marrësh parasysh urdhërimin e Perëndisë për ta dashur njëri-tjetrin (Gjoni 13:34; Luka 6:31). Bibla e dënon ashpër abuzimin apo mashtrimin ndaj të tjerëve (Eksodi 22:22; Isaia 10:2; 1 Thesalonikasve 4:6), dhe në fakt te 1 Gjonit 4:20 e quan “gënjeshtar” atë që thotë se e do Perëndinë, por abuzon (urren) vëllanë e vet.

Abuzimi emocional përfshin sulmet verbale, kritikat lënduese, manipulimin, të gënjyerit, kërcënimet dhe refuzimin për të dhënë dashuri. Këto marrëdhënie helmuese ndikojnë në aftësinë e të abuzuarit për të pasur besim te njerëzit dhe për të ndërtuar marrëdhënie të shëndetshme në të ardhmen.

 Brenda familjes

Forma më e zakonshme e abuzimit emocional është ajo verbale. Ndikimi i fjalëve lënduese zgjat për vite të tëra. Prindërit ndonjëherë e nënvlerësojnë fuqinë shkatërruese të fjalëve të thëna me zemërim apo aftësinë e fëmijëve për t’i mbajtur mend për dekada të tëra kritikat lënduese. Bibla i paralajmëron etërit (duke nënkuptuar edhe nënat) që të mos i hidhërojnë fëmijët e tyre me mënyrën si i trajtojnë (Efesianëve 6:4, Kolosianëve 3:21). Të qenët vazhdimisht të turpëruar nga prindërit e tyre apo të vendosurit para një standardi të paarritshëm, shpesh bën që fëmijët ta shohin Perëndinë si një mbikëqyrës të ftohtë e mizor. Këshilluesi biblik David Powlison citon te “Jeta përtej gabimeve të prindërve të tu” një grua të cilën e kishte këshilluar:

“Për vite të tëra mendoja se nuk do ta shihja dot kurrë Perëndisë si një Atë, për shkak të marrëdhënies aq të kalbur që kisha me tim atë. Por pastaj kuptova se problemi më i madh isha vetë unë, as Perëndia dhe as im atë. Sistemi im i të besuarit ishte krejt i çoroditur. Po lëshoja gënjeshtra ndaj Perëndisë dhe nuk po besoja çfarë ishte e vërtetë për Të!” Selli filloi ta ushqente besimin e saj me të vërtetën se Perëndia Atë është besnik, i mëshirshëm dhe i pandryshueshëm. Ai punoi me durim me të, duke e disiplinuar dhe duke e mësuar të njihte të vërtetën e mëshirshme dhe bujare për Të. Selli kuptoi se mënyra si e shikonte Perëndinë nuk vinte nga çfarë kishte kaluar në jetë, por nga ajo çka zemra e saj kishte bërë me përvojën e të qenët e abuzuar.

Vrasësi i heshtur i martesës

Plani i Perëndisë për një jetë të lumtur martesore që e nderon Atë përshkruhet më së miri tek Efesianëve 5, ku burrat udhëzohen t’i duan gratë e tyre në mënyrë sakrifikuese dhe gratë t’u nënshtrohen burrave të tyre prej respektit ndaj autoritetit të tyre frymëror. Fatkeqësisht, shumë çifte të martuara, madje dhe të krishtera, jetojnë larg këtij realiteti. Kur një grua rrihet, problemi i saj ka më pak të ngjarë të kalojë pa u vënë re dhe Kisha (dhe policia) mund të përfshihen. Abuzimi emocional, edhe pse po kaq i dhimbshëm, është shumë më i vështirë për t’u dalluar. Edhe miqtë e saj më të ngushtë mund të mos e dinë, sepse viktima tenton të besojë se e meritonte, apo ishte në njëfarë mënyre faji i saj (i tij). Turpi është një pasojë gjymtuese e të gjitha llojeve të abuzimeve.

Ajo çka e bën aq shkatërrues abuzimin emocional është fakti që ai është i qëllimshëm. Nuk duhet zvogëluar fuqia që fjalët kanë mbi dikë. Bibla na thotë që “vdekja dhe jeta janë nën pushtetin e gjuhës” (Fjalët e Urta 18:21) dhe që gjuha, edhe pse një gjymtyrë e vogël, “djeg një pyll të madh” (Jakobi 3:5). Në vend që të inkurajojnë dhe të ndërtojnë, bashkëshortët abuzues poshtërojnë dhe shkatërrojnë me fjalët e tyre. Kritikat e vazhdueshme dhe personale, loja me pushtetin dhe kërcënimi, shkatërrojnë besimin dhe intimitetin.

Ekzistojnë disa lloj abuzuesish në martesë dhe në marrëdhënie romantike. Le të shohim shkurtimisht tre prej tyre.

  • Tirani 

Tiranët ushtrojnë pushtet ndaj viktimave të tyre nëpërmjet frikës dhe kërcënimit. Forma më e përhapur e abuzimit që ata përdorin është ai verbal; një lumë i vazhdueshëm ofendimesh, përçmimesh, kërcënimesh, deri edhe akuzash të rreme për të arritur qëllimet e tyre. Tirani është zakonisht një person shumë i inatosur, që beson se ai/ajo meriton më shumë se çfarë Perëndia Sovran ka siguruar. Gruaja e martuar me një burrë tiran jeton shpesh me ndjenjë frike, sepse gjendja e tij shpirtërore mund të jetë e paqendrueshme dhe e paparashikueshme.

  • Manipuluesi

“Manipuluesit thithin kohën dhe energjinë nga jeta jote nën fasadën e miqësisë. Mund të jetë e vështirë të merresh me ta, sepse të trajtojnë si mik, por kanë një axhendë të fshehtë. Manipuluesit duan gjithmonë diçka prej teje, dhe nëse shqyrton miqësinë me ta, ajo është vetëm marr, marr, marr dhe jap pak ose aspak. Ata do të bënin gjithçka për t’ju fituar në mënyrë që t’ju nënshtrojnë”. (Dr. Travis Bradberry).

Manipulimi është shpesh më i dallueshëm nga njerëzit që ndodhen jashtë marrëdhënies sesa nga personi i abuzuar në këtë mënyrë. Personi i manipuluar dëshiron dëshpërimisht të besojë se e duan, por manipuluesi i përdor të tjerët vetëm për aq kohë sa mund të përfitojë prej tyre.

  • Narcisistja

Narcisistja nuk mundet të dojë ndokënd tjetër përveç vetes. Ajo ka një mendim të gabuar dhe të fryrë për arritjet dhe karakterin e saj, ka një legjendë në mendjen e saj që i thotë se ajo meriton lajkatimin e të tjerëve. Tek e 2 Timoteut 3, Pali e paralajmëron Timoteun për ata që ndodhen në kishë dhe që kanë rënë “në dashuri me vetveten”. Ai i përshkruan narcisistët si “njerëz egoistë, lakmues parash, mburravecë, krenarë, blasfemues, të pabindur ndaj prindërve, mosmirënjohës, të paudhë, të padhembshur, të papajtueshëm, shpifës, të papërmbajtur, mizorë, që s`e duan të mirën, tradhtarë, kokëshkretë, fodullë, dëfrimdashës më fort se perëndidashës”.

Narcisistët nuk ndërtojnë dot marrëdhënie të shëndosha, sepse janë tërësisht të përqendruar te vetja dhe u mungon ndjeshmëria për të tjerët.

 Përgjigja e Krishtit ndaj abuzuesve

Të gjitha format e abuzimit emocional i kanë rrënjët te krenaria dhe dëshirat egoiste (Jakobi 4:1) dhe çnderojnë viktimat e tyre. Të krishterët që janë lënduar (qoftë nga prindërit, marrëdhëniet romantike, apo në martesë) ndiejnë therjen e fjalëve të ashpra dhe të tradhtisë, po aq fort sa kushdo tjetër, por nëse shkojmë te Bibla, kuptojmë se edhe për Krishtin Vetë nuk ishin të panjohura abuzimi emocional dhe shqetësimi. Ai është për ne një Mik Hyjnor që na kupton plotësisht. Një lexim i shpejtë i Ungjillit sipas Gjonit në veçanti, na flet për durimin dhe këmbënguljen e pashoqe të Zotit tonë nën sulmet dhe kritikat e pamëshirshme.

Kohë para Kalvarit, Jezusi duroi sulme plot urrejtje, tallje dhe kritika të padrejta. Në kuptimin e drejtpërdrejtë të fjalës, asnjë vepër e mirë nuk mbeti pa u ndëshkuar dhe Shkrimi flet për të paktën dy sulme të tjera mbi jetën e Tij (e qëlluan me gurë për dyshim për blasfemi). Pas një sulmi të tillë, Jezusi shëron një lypës të verbër, pa ia kërkuar, gjatë rrugës për të dalë nga qyteti. Burrin atëherë e përjashtojnë nga Sinagoga sepse dha dëshmi për Krishtin, dhe Jezusi pastaj lë rrugën e Tij për të shkuar e për ta gjetur.

Mendo për KËTË herën tjetër kur do të tundohesh për të rënë në keqardhje për veten!

Gjoni flet për një sulm verbal pas tjetrit kundër Atij që erdhi për të shpëtuar ata që e sulmuan. Mbetem pa fjalë para tërë asaj armiqësie me të cilën u përball Jezusi… duke përfshirë një ofendim thuajse haptazi, sikur Ai ishte një fëmijë jashtë martese (Gjoni 8:41b). Dhe si kundërpërgjigjet Ai? Me drejtësi, duke demaskuar mëkatin dhe hipokrizinë e atyre që e kritikonin, por edhe me hir, duke i thirrur në pendim. Deri të mërkurën e Javës së Pasionit, dy ditë para se të kryqëzohej i poshtëruar, e shohim Jezusin në oborret e tempullit, duke predikuar, duke bindur dhe duke iu përgjëruar atyre që e përbuznin që të vinin tek Ai.

Edhe pse e dimë që Krishti ishte dhe është plotësisht njeri dhe plotësisht Perëndi, s’mund të mos pyes veten nëse refuzimi dhe sulmet e lënduan Atë ashtu sikurse ne përjetojmë dhimbjen emocionale. Zakonisht, kur na lëndohen ndjenjat, është një lëndim personal, jo i nderit dhe i lavdisë së Perëndisë. E megjithatë, e vetmja herë që e shohim Jezusin të inatosur tek Ungjijtë është kur cënohet nderi i Atit. Duket se i hedh pas krahëve sulmet personale dhe është gjithmonë i gatshëm dhe i prirur të mos i vërë re fyerjet dhe të falë. Thirrja e Tij e vazhdueshme për falje është pikërisht e tillë – një ftesë për te hiri bujar dhe falja e pamerituar.

Roli i kishës

Ne sigurisht shohim modelin e dorëzimit në heshtje dhe të faljes që Krishti na jep në Bibël dhe shkojmë tek Ai për të gjetur ngushëllim për çdo vuajtje, duke përfshirë abuzimin. Megjithatë, kujdesi “për njëri-tjetrin” dhe ndreqja për të cilën kemi nevojë, ndodh në bashkësi, që është Kisha e Tij. Kishës lokale i janë dhënë pleqtë, dhjakët dhe gratë e perëndishme për t’i shërbyer njëri-tjetrit dhe për t’i folur jetëve të njëri-tjetrit. Këtu mund të fillojë shërimi.

Ndërsa një grua që duron abuzim në martesën e saj mund të inkurajohet duke lexuar udhëzimin tek e 1 Pjetrit “për të duruar në vuajtje”, nëse ajo nuk përballet me dashuri me abuzimin e burrit të saj, ajo e lejon atë të vazhdojë të mëkatojë. Të flasësh për të drejtat e tua mund të të duket e frikshme, por abuzimi, qoftë fizik apo emocional, është një mëkat që ka ndikim në Trupin e Krishtit. Nëse burri është i krishterë, pleqtë e kishës lokale janë në pozitën më të mirë për të folur me të privatisht se si ta dojë gruan e tij “sikurse Krishti e deshi Kishën” (Efesianëve 5:25) dhe ta ndihmojnë të merret me zemërimin e tij në një mënyrë që e nderon Perëndinë. Po kështu edhe për rastet e tjera të abuzimit; disiplina dhe llogaridhënia brenda grupeve të vogla (apo këshillimi privat me pastorin) mund të ndihmojnë që të thyhet cikli i abuzimit dhe t’i lejojnë personat e përfshirë që të falin, të rriten shpirtërisht dhe të shërohen.

Jezusi kujdeset për ndjekësit e Tij dhe Ai dha jetën për të treguar dashurinë e Tij për ta (1 Pjetrit 5:7). Ai me siguri do t’i ngushëllojë, shfajësojë dhe shërojë, si me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë, ashtu edhe me anë të Kishës familje që Ai krijoi për të qenë këmbët dhe duart e Tij.

Marie Notcheva është një autore dhe folëse e krishterë nga Massachusetts, SHBA. Si këshilluese biblike e certifikuar, ajo është kontribuese e rregullt e blogut të Koalicionit të Këshillimit Biblik (The Biblical Counselling Coalition). Në vitin 2011, Calvary Press botoi librin e saj “E çliruar nga humnera: pendimi biblik dhe restaurimi nga robëria e çrregullimeve në të ngrënë.” Ajo e ka vizituar tri herë Shqipërinë dhe e do shumë këtë vend. Ajo ka 4 fëmijë.

Një pikëllim i pakrahasueshëm: Kur një mike humbet një fëmijë

Ky artikull ishte botuar në numrin e fundit të “Ilire Revista”, shkurt 2016. 

Nga Marie Notcheva

loss

Kur djali im i madh ishte 11 vjeç, ai humbi mikun e tij nga kanceri. Ndërsa ulem para kompjuterit tim, saktësisht katër vjet më vonë, ende e ndiej therjen e pikëllimit të një nëne po aq të mprehtë, sikur të kishte ndodhur dje. Emri i tij ishte Xhosh. Në këtë artikull unë po përdor emrat realë, sepse ata ishin fëmijë të vërtetë, me emra të vërtetë dhe ishin me të vërtetë të rëndësishëm.

Shumë prej miqve të mi kanë kaluar përmes agonisë së paimagjinueshme të humbjes së një fëmije, qoftë in vitro, në fëmijëri apo në adoleshencë, por kjo është një agoni vetmitare, saqë edhe ata që janë më të afërt me prindin nuk arrijnë dot ta ndihmojnë. Ne duam të hyjmë në pikëllimin e një mikeje, e megjithatë nuk arrijmë ta bëjmë këtë plotësisht. Ajo që mund të bëjmë është të jemi të ndjeshëm ndaj tyre. Ka diçka egoiste të trashëguar, madje edhe te njeriu më i dhembshur, që na pengon të përjetojmë me të vërtetë, madje edhe në mënyrë të tërthortë, atë që një prind po kalon në këtë lloj humbjeje. Ne nuk mund të sigurojmë asnjë ngushëllim real; dhe as që duam të imagjinojmë tmerrin e plotë të përvojës së tyre. Instinkti ynë njerëzor është të veçohemi prej saj. Veçimi emocional është i nevojshëm në fushën mjekësore, dhe madje në një farë mase edhe në zyrën e këshillimit, por asnjëherë nuk të bën të ndihesh mirë, veçanërisht kur je prind.

Veçimi profesional përkundrejt përfshirjes personale

Si përkthyese mjekësore në Boston, herë pas here shoh raste pediatrike (të cilat rrallëherë janë terminale). Këta fëmijë zakonisht sillen këtu për të marrë trajtim mjekësor i cili nuk është i disponueshëm në Bullgari. Dy vite më parë, unë pata një detyrë pediatrike vonë në mbrëmje, ndërkohë që mezi po prisja të shkoja në shtëpi për të bërë tortën e ditëlindjes për vajzën time tetëvjeçare për festën e saj të nesërmen. Unë nuk e kisha fare idenë se brenda pak minutave do të më duhej t’i thosha një gruaje, njësoj si unë, se vajza e saj po vdiste.

Nëna e vajzës së vogël kishte ardhur vetëm për një konsultë me onkologun, ndërkohë që fëmija, gjithashtu 8 vjeç, kishte bërë tranz-fuzion gjaku te një spital tjetër. Ajo dhe vajza ime Natalia mund të kishin qenë shoqe. Nënës iu desh rreth një orë për të dhënë historinë mjekësore dhe ndërsa unë përktheja detajet e dhimbshme të trajtimit të neuroblastomës së vajzës, zemra m’u këput fare. Kanceri i saj kishte përparuar aq shumë, saqë nuk mund të bëhej më asgjë. Onkologu e këshilloi nënën, me lot në sy, që ta kthente vajzën në Bullgari.

Në 15 vite si përkthyese mjekës-ore, kjo ishte një nga dy herët kur kam qarë. Hera tjetër ishte një telefonatë. Unë duhej t’i thosha nënës së një studenti tetëmbëdhjetëvjeçar se djali i saj ishte vrarë në një aksident me motor. Ai quhej Xhorxh. Por problemi ishte se unë nuk mund të bëja asgjë. Unë e përqafova atë në ashensor, i thashë, “Më vjen keq”, dhe shkova në shtëpi. Unë nuk mund ta lija veten time të lëshohej në dhimbjen e asaj nëne të shkretë, sepse kështu nuk do të kisha qenë emocionalisht e disponueshme për fëmijët e mi. Ishte një ndjenjë e pakëndshme dhe u ndieva pak egoiste që e detyrova veten të ‘veçohesha’.

Por është ndryshe kur prindi që po mban zi është një mik i ngushtë. Mund të mos jetë ndryshe ‘biblikisht’, por gjithsesi është ndryshe. Kur një grua nga kisha varrosi djalin e saj tetëmbëdhjetëvjeçar disa vite më parë, unë e pata të vështirë ta shikoja në sy gjatë funeralit apo ta pyesja më pas rastësisht, “Si je?”. Stivëni tani do të ishte student në kolegj. Xhoshi, shoku i djalit tim, vdiq papritur pikërisht para Krishtlindjes. Pikëllimi që përfshiu prindërit, motrat e vëllezërit dhe familjen tonë të kishës ishte aq i madh dhe zemërcopëtues, saqë instinkti i natyrshëm ishte të tërhiqeshe, madje edhe atëherë kur doje të ofroje ngushëllim.

Unë jam prind. Unë nuk dua ta ndiej këtë tmerr. Unë nuk dua të shkoj atje me mendimet e mia. Bibla na thotë se ka ngushëllim. Le t’ia kujtojmë këtë njëri-tjetrit. Nuk është ‘frymërore’ ta ndiejmë këtë pikëllim, sidomos kur fëmija është në qiell. Jo dhimbje. Me të gjitha mënyrat, ndalo dhimbjen. Ne nuk mbajmë zi njësoj si paganët; ne kemi shpresë. Keit, e cila humbi djalin e saj njëvjeçar, Aleksin, për shkak të një defekti në zemër, tha: “Kjo humbje ta ndan zemrën më dysh”.

Ngushëllimi është një fjalë relative kur vjen puna te humbja e një fëmije. Nuk ka dashuri zëvendësuese; asnjë premtim biblik; asnjë shpresë e ardhme lavdie që të jetë aq e fortë sa të ta fshijë vuajtjen, dhimbjen e pafundme të boshllëkut që ndjen kur fëmija që t’i ke mbartur, ke ushqyer dhe për të cilin je përkujdesur, papritmas ikën. Ndonjëherë, gjithçka që mund të bësh si një mike është thjesht të gjendesh pranë, të mos i largohesh dhimbjes së prindit tjetër; të mos e mohosh atë; të mos e mbulosh me banalitete që tingëllojnë si frymërore. Disa muaj pasi Xhosh vdiq, pasi letrat e ngushëllimit ndaluan së ardhuri dhe pasi vaktet e ushqimit prej shoqeve nuk u sollën më, nëna e tij dhe unë kemi qarë ndërsa flisnim në telefon. “Më mungon kaq shumë… kjo nuk duhej të ndodhte”, tha ajo.

Asnjëherë mos e minimizo pikëllimin

Gjithmonë jam mahnitur nga skena te Gjoni 11, ku Jezusi qau bashkë me dy motrat, Marinë dhe Martën, për vdekjen e vëllait të tyre Llazarit. Edhe pse Ai e dinte se do ta ngjallte Llazarin dhe historia do të përfundonte “të lumtur përgjithmonë”, Shpëtimtari i racës njerëzore u prek aq shumë nga pikëllimi individual, njerëzor, saqë Ai zgjodhi të bëhej krejtësisht pjesë e tij. Nuk ka asnjë emocion njerëzor që Jezusi nuk e ka përjetuar plotësisht dhe vetëm ky fakt na jep një masë ngushëllimi në dhimbjen tonë. Vini re që Ai nuk e minimizon kurrë dhimbjen e tyre; Çliruesi ynë prekej nga vuajtja e bijve të Tij. Perëndia nuk thotë kurrë “mblidhe veten” ose “hidhe prapa krahëve”. Dhe as ne nuk duhet ta bëjmë një gjë të tillë; zia është një proces i gjatë, i vetmuar dhe tepër personal.

Ekziston një dëshirë e jashtë-zakonshme për prindin që të ri-bashkohet me fëmijën e vet ne qiell; gjëja më e mirë që mund të bësh për një mike që po mban zi është të ulesh qetësisht me të në dhomën e pritjes. Kjo nuk është shumë, por me barrën që po e mbajnë vetëm, ata kanë nevojë që të mos jenë vetëm në pikëllimin e tyre. Dy vite më vonë, pasi ishte zhvendosur, mamaja e Xhoshit më shkroi:

“Si nëna nënës… unë po eci përpara. Unë kam disa ditë vërtet të vështira dhe disa të mira. Perëndia ka qenë jashtëzakonisht i mirë në të gjitha bekimet që ka sjellë në jetën tonë, e megjithatë më duket sikur jam gjysëm në tokë e gjysëm në qiell. Perëndia thotë se njerëzit e tij humbasin për shkak të mungesës së vizionit…. Unë i kam kërkuar Atij për vizionin e Tij, që të mund t’i jap lavdi dhe nder emrit të Tij. Unë kam ndryshuar, por e di se Perëndia është i fortë dhe i aftë që ende të më përdorë. Mari, ka ditë që ai më mungon aq shumë, saqë më duket sikur zemra do të më pëlcasë. Sigurisht që Perëndia ka një arsye të mirë për këtë plan…. Unë e di se një ditë do ta kuptoj dhe madje edhe do ta lavdëroj Atë për këtë plan”.

Dhimbja e gjatë, e fshehtë e abortit të padëshiruar

Dikush, me arsye mund të pyesë: “Si është e mundur të duash dikë që nuk e ke njohur kurrë?”. Çdo nënë që ka mbartur një fëmijë përgjatë gjithë shtatzënisë ose jo, e di se dashuria për një fëmijë nuk është “e arsyeshme”. Në greqishten biblike ka katër lloje fjalësh për “dashuri” dhe njëra prej tyre “storge” (στοργή) përshkruan dashurinë për-
kujdesëse prindërore. Ajo është përdorur rrallë në veprat antike dhe thuajse në mënyrë ekskluzive si një përshkrues i marrëdhënieve brenda familjes. Ultratingujt modernë sot na japin mundësinë e përjetimit të atij momenti të mrekullueshëm kur ti shikon dhe dëgjon zemrën e bebes tënde tetëjavëshe që rreh brenda teje, por që nga fillimi i kohës Perëndia e ka mbjellë atë instikt prindëror të thellë, plot dashuri, brenda nesh si një reflektim i vetë zemrës së tij. Ai nuk mund të shpjegohet apo të arsyetohet.

Të humbasësh një fëmijë nëpërmjet një aborti të padëshiruar është një vetmi unike. Zakonisht nuk ka një varr; nuk ka asnjë shërbesë përkujtimore; asnjë letër apo telefonatë ngushëlluese. Personi që e përjeton duhet “të mbledhë veten” dhe të vazhdojë jetën sikur gjithçka të jetë normale. Por kjo nuk është normale; dhe kurrë nuk ka për të qenë. Jeta është kthyer përmbys, edhe pse askush nuk e sheh këtë. Ti ke humbur një pjesë të vetes sate që nuk mund të zëvendësohet kurrë; një plagë që vetëm Perëndia e sheh. Ti mban zi, sepse kurrë nuk e mbajte në krahë atë fëmijë; nuk e njohe kurrë atë; nuk pate mundësi as t’i jepje dhuratën e një emri. Gjithashtu, ekziston edhe ndjenja e fajit, “Mos ishte faji im? Mos bëra shumë ushtrime? A po haja mjaftueshëm? Mbase Perëndia po më ndëshkon…”.

Dhe pyetja ankuese mbi mirësinë e Perëndisë: “Përse Ai i jep dikujt një fëmijë, vetëm për t’ia marrë sërish? Ai mund të kishte bërë diçka për ta ndaluar këtë që të ndodhte. Ai nuk bëri asgjë. A është me të vërtetë Ai ‘në anën time’? Si mund të besoj se Perëndia është gjithmonë besnik, madje edhe kur unë nuk jam?”. Vdekja e një fëmije në çfarëdo moshe është një tragjedi dhe nëse një mike ta mirëbeson ty këtë humbje “të fshehur”, gjëja më e mirë që ti mund të bësh është që ta kuptosh atë gjë dhe ta lejosh atë të vajtojë.

Të ngushëllosh një mike në çdo lloj vuajtjeje

Gjëja më e vështirë rreth të ndihmuarit të një mikeje që ka humbur një fëmijë është, që pavarësisht të gjithë të vërtetës biblike dhe premtimeve të mirësisë të Perëndisë që ne kemi, dhimbja në të vërtetë nuk largohet kurrë. Ajo mpaket, por qëndron me prindin dhe asgjë që ne mund të themi nuk mund “ta lehtësojë atë”. Njësoj si me depresionin, gjëja më e rëndësishme që mikja jote në zi ka nevojë prej teje është, që ajo ta dijë se ti kujdesesh për të. Dhe që ti nuk do ta braktisësh atë kurrë, pavarësisht se sa e gjatë apo e vështirë është kjo fazë. Kur ti nuk di se ç’të thuash, kjo është një kohë e mirë për të mos thënë asgjë…, ndonjëherë lotët janë reflektimi më i sinqertë i zemrës së dikujt.

Nuk është e nevojshme (as e mençur!) që të jesh si miqtë e Jobit, të ofrosh këshillë; ta qortosh atë për mungesën e besimit; t’i thuash se pikëllimi i saj nuk është frymëror. Në kundërshtim me këtë, 2 Korintasve 1:3-4 na thotë qartë, se Vetë Perëndia na ngushëllon në të gjitha vuajtjet tona, që ne të mund të ngushëllojmë të tjerët me të njëjtin hir. Mos prediko e as mos mbaj leksion! Thjesht ngushëllo!

Perëndia e di me saktësi se çfarë ndien kur humbet një Bir. Ndërkohë që mund të duket se Ai qëndron në heshtje, të dish me siguri dhe thjeshtësi se Ai është pranë teje dhe se Ai kujdeset për zemrën e pikëlluar. Është pikërisht ajo që një prind i cili po kalon përmes kësaj tragjedie, ka nevojë të dijë e ta përjetojë. Mos u shqetëso për të thënë “gjënë e duhur”. Madje edhe në ditët më të këqija, dashuria e Tij personale është si një jastëk që na mbron, që asgjë të mos na lëndojë më aq shumë. Duke qenë e disponueshme, thjesht për të dëgjuar…, për ta mbështetur…, dhe po, madje edhe për të qarë së bashku, në një shkallë të vogël, ti ke mundësinë për t’i shfaqur zemrën përkujdesëse të Jezusit mikeve të tua në humbjen e tyre.

Çfarë mund të bëj për të treguar se kujdesem?

Ka disa gjëra shumë praktike që mund të bëni për të ndihmuar një mike në zi që të kalojë ditët. Çoji një vakt ushqimi. Kur dikush është në zi për shkak të një vdekjeje të papritur, përqendrimi që nevojitet për të kaluar përmes hapave të përgatitjes së një vakti ushqimi është shumë për të.

  • Ndihmo me përgatitjet e funeralit. Funeralet sjellin shumë stres mbi familjen e të vdekurit, jo vetëm financiarisht, por edhe praktikisht. Ndihmo me organizimin dhe detajet administrative; pastro apartamentin; kryej porositë në mënyrë që ajo të pushojë.
  • Merre në telefon shoqen tënde. Edhe disa muaj pas vdekjes së një fëmije, kur lulet janë tharë dhe vizitat ngushëlluese mbarojnë, pikëllimi i një prindi është ende i freskët. Ftoje atë për kafe; lëre atë të flasë për gjithçka që dëshiron.
  • Bëji të ditur asaj se po lutesh për të. Të dijë se një mike po lutet për të, madje edhe kur ajo është shumë e dobët për ta bërë vetë këtë, është ngushëllim që ndonjëherë do ta ndihmojë atë që të kalojë përmes ditës.

Për shkak se ne të gjithë mbajmë barrë të rënda në këtë epokë, ne duhet të “mbajmë barrët e njëri-tjetrit dhe duke bërë kështu, përmbushim ligjin e Krishtit” (Galatasve 6:2).

Ballafaqimi Biblik, një mjet i hirit – Pjesa e dytë

Ju po lexoni pjesën 2 të një blogu Koalicioni i Këshillimit Biblik Shqiptar.

timthumb

Nga Blair Alvidrez

Kur përkufizojmë ballafaqimin biblik, ne duhet të pranojmë, mbi të gjitha, që Perëndia është ballafaques—në çdo minutë të çdo dite. Çdo mëngjes dhe mbrëmje, Ai shpall lavdinë dhe drejtësinë e Tij, me anë të krijimit të Tij: prandaj njeriu nuk ka justifikim. (Psalmi 19:1, 50:6, Romakëve 1:19-20) Ka vetëm dy lloj njerëzish në botë. Ata ose i ngjajnë Abelit, ose Kainit; njëri me plot bindje bën atë që është e drejtë, duke fituar bekimin e Perëndisë, si Abeli, – duke marrë kështu gëzimin e përjetshëm, pra, për të njohur dhe për t’u kënaqur me Perëndinë. Tjetri, kokëfortë, armiqësor, rebel, duke përfunduar në një mallkim, si Kaini—i larguar nga prania e Perëndisë, duke grumbulluar për vete gjykim të përjetshëm, deri në vdekje përfundimtare dhe ndarje të plotë nga Perëndia (Zanafilla 4:16; Romakëve 2:4-11). Prandaj, ballafaqimi biblik u bën pritë pasojave të përjetshme të mëkatit dhe paralajmëron për pasojat që do të vijnë: vdekjen, ashtu si edhe shpërblimet e një jete vërtet të bindur ndaj Perëndisë, bashkim me Perëndinë përjetë. Nga një perspektivë e përjetshme ne nxjerrim përfundimin se ballafaqimi është një mision shpëtimi; për ta sjellë dikë tek Perëndia dhe tek njohja e Tij, që është jeta e përjetshme. Për më tepër, ballafaqimi duhet të ndërthuret si pjesë e pandarë e qenieve tona, si një stil jete, Ai nuk duhet të jetë një ngjarje e rastësishme apo e jashtëzakonshme. Ballafaqimi është aty ku dashuria për shërbesën personale banon në kontekstin e të gjitha marrëdhënieve tona. Për shembull, ne jemi të thirrur për të pasqyruar Jezus Krishtin, për të qenë mbajtësit e imazhit të Tij, në një botë në të cilën ekziston pak ose aspak njohje për ekzistencën e Perëndisë, për të zbuluar dashurinë vetëmohuese të Perëndisë. Ne jemi ambasadorët e Tij. Në fakt, nëse ne e kuptojmë ballafaqimin biblik saktë dhe qartë, ai i sjell shërim dhe nder atij që dëgjon, mjerim dhe turp atyre që “nuk pranojnë korrigjimin” (Fjalët e Urta 13:17-18).

Për të na ndihmuar që të kuptojmë se si të bëhemi imitues të Jezus Krishtit në një botë që po vdes dhe ndaj njëri-tjetrit si besimtarë, ne duhet të njohim dhe të pranojmë që ballafaqimi biblik nuk është fakultativ. Ai është ndërthurur në Urdhërimin e Parë dhe të Dytë më të rëndësishëm. Bibla na mëson që nuk ka asnjë terren neutral mbi këtë çështje. Letra e Parë e Gjonit 4:7-21 e përforcon këtë të vërtetë, veçanërisht vargu 20 që thotë: «Po të thotë dikush: “Unë e dua Perëndinë” dhe urren vëllanë e vet, është gënjeshtar; sepse ai që nuk do vëllanë e vet, të cilin e sheh, si mund të dojë Perëndinë, që nuk e sheh?». Për më tepër, kur ky lloj ballafaqimi nuk ndodh brenda kishës, ata brenda saj, të cilët supozohet që e njohin Perëndinë, veprojnë në të njëjtën mënyrë si ata jashtë kishës, të cilët nuk e njohin. Në të vërtetë ky fragment shpreh qartë dhe me qetësi jetën e re të cilën e kemi si besimtarë. Nëse ne e njohim Perëndinë, ne do të jetojmë një jetë me dashuri, sepse Perëndia banon në ne: “Ai që nuk ka dashuri, nuk e ka njohur Perëndinë, sepse Perëndia është dashuri.” Tek e 1 e Gjonit 4:8 kemi urdhërim prej Tij: “Kushdo që do Perëndinë duhet të dojë vëllanë e vet.” Fjalë të fuqishme. Fjalë bindëse. Kaini nuk mendonte se ishte përgjegjës për “vëllanë e vet”, por Perëndia e bëri atë përgjegjës.
Paul Tripp-i përdor vargjet tek Levitiku 19:15-19 për të përcaktuar se çfarë do të thotë kjo.

Nuk do të bësh padrejtësi gjatë gjykimit; nuk do të tregohesh i anshëm me të varfrin, as do të nderosh personat e fuqishëm; por do të gjykosh të afërmin tënd me drejtësi.
Nuk do të shkosh e të sillesh duke shpifur nëpër popullin tënd, as do të mbash qëndrim kundër jetës së të afërmit tënd. Unë jam Zoti.
Nuk do të urresh vëllanë tënd në zemrën tënde; qorto gjithashtu fqinjin tënd, por mos u ngarko me asnjë mëkat për shkak të tij.
Nuk do të hakmerresh dhe nuk do të mbash mëri kundër bijve të popullit tënd, por do ta duash të afërmin tënd si veten tënde. Unë jam Zoti.
Ne nuk mund të mos i marrim parasysh këto urdhërime të drejtpërdrejta të Perëndisë. Ai do që ne të mos jemi vetëm dëgjues të së vërtetës, por të veprojmë me një bindje të përzemërt ndaj së vërtetës; duke imituar Atë në planin e Tij të shpëtimit, përmes dashurisë vetëflijuese. Pa pjesëmarrje vetjake, përmes kohëve të ballafaqimit, një jetë e qëndrueshme dhe e frytshme për Perëndinë nuk mund të jetë realitet.

Pengesat ndaj ballafaqimit biblik

Pa dyshim, do të hasim pengesa për ta bërë ballafaqimin biblik një realitet në përditshmërinë e jetëve tona. Paul Tripp-i shpjegon shkakun kryesor për këtë: ne e duam veten tonë më shumë se të tjerët. Ndonjëherë, ne zgjedhim heshtje egocentrike kur e shohim vëllain ose motrën tonë në vështirësi dhe nuk bëjmë asgjë. Veç kësaj, ne mund të shprehim gjithfarë formash të urrejtjes: më pak të dukshme, pasive dhe aktive (faqet 222-224). Si shfaqen këto? 1. Formë më pak e dukshme urrejtjeje (favorizimi): pra t’i bësh favor dikujt, por që po atë favor t’ua refuzosh të tjerëve për shkak të pamjes fizike, dhuntive, gjendjes shoqërore ose personalitetit, duke refuzuar kështu të tregojmë dashurinë që Perëndia na ka treguar. 2) Formë pasive e urrejtjes (mbajtja mëri): përfshin të mbajturit shënim të atyre gjërave të gabuara që dikush na ka bërë. Me kalimin e kohës zemërimi rritet, duke shtuar përbuzjen, përçmimin dhe neverinë—edhe pse nuk është kryer ndonjë mëkat tjetër. Kjo çon në hidhësi. Ndërsa kjo rritet, bllokon rrugën me anë të së cilës mëkati mund të shkatë­rrohet. Pa dyshim, shumë njerëz përfundojnë këtu. Fyerjet grumbullohen në një nivel në të cilin ndodh një shpërthim i stërmadh i “mëkateve” të kryera—me inat, me ligësi dhe keqdashje. Rezultati përfundimtar e lë personin fyes të dëmtuar, të gjakosur dhe pa frymë. Për më tepër, dhe me shumë keqardhje, pak arrin të zgjidhet në një mjedis kaq armiqësor—më shumë është bërë dëm, marrëdhëniet janë përkeqësuar, ka pasur përçarje dhe uniteti që reflekton imazhin dhe ngjashmërinë me Perëndinë shuhet. Për më tepër, ata që zgjedhin të mos i bëjnë ballë inatit dhe hidhësisë, në mënyrën që Perëndia do, e fusin betejën brenda vetes—ata mbyllen në depresion dhe mbyllin çdo derë të shpresës për të ndryshuar.

Së fundmi, format aktive të urrejtjes (padrejtësi, urrejtje, hakmarrje): a)padrejtësia—lejon anësinë dhe padrejtësinë e pamoralshme të këmbë­ngulë pa pushim, duke mos siguruar vetëpërmbajtjen e domosdoshme, për të mos lejuar dhe për të frenuar përparimin e së keqes. Ajo lejon që lëndimi dhe keqtrajtimi i të tjerëve të shtohet, duke mos vepruar në mbrojtje të atyre që janë të pambrojtur dhe të pafajshëm nga të tjerët; b) thashethemet krijojnë një terren mbarështues, ku mëkati shtohet dhe përshkallëzohet, ku njerëz të cilët nuk janë të përfshirë në një fyerje bëhen pjesë e saj, jo si shpëtimtarë, por si paditës; c) hakmarrja kundërpërgjigjet duke sjellë lëndim dhe cenim ndaj dikujt tjetër, duke e kthyer të keqen me të keqe, në këtë mënyrë duke e dhunuar urdhërimin për të treguar dashurinë, natyrën dhe karakterin e mirë të Perëndisë. Hakmarrja kërkon të shkatërrojë, ndërsa Perëndia kërkon të restaurojë.
Veç këtyre, mënyra të tjera të cilat pengojnë ballafaqimin biblik përfshijnë:

Refuzim për të ballafaquar sipas mënyrës së Perëndisë,
Ne nuk iu kërkojmë njerëzve që të pendohen për mëkatet e tyre, sepse ne nuk i konsiderojmë mëkatet tona ashtu siç janë seriozisht—si një shkelje dhe fyerje ndaj Perëndisë
Ne kemi pikëpamje dhe besime të gabuara, me të cilat ndihemi rehat dhe nuk duam t’i ndryshojmë. Kur jemi në një situatë në të cilën sfidohemi nga e vërteta e Fjalës së Perëndisë, ne rezistojmë përmes shpagimit, duke iu përgjigjur personit me inat; ose tërhiqemi duke ikur, me qëllim që të shmangemi, duke lënë jashtë çdokënd dhe gjithçka, duke e mbajtur inatin dhe zemërimin brenda.

Vënia e ballafaqimit biblik në praktikë

Fatmirësisht, ka diçka që mund të bëjmë për të vendosur ballafaqimin biblik në qendër të jetëve tona në mënyrë të përditshme, ashtu siç Hebrenjve 3:12-13 na mëson.

Ta bëjmë dashurinë, qëllimin tonë (1Timoteut 1:5):
Ndaj Perëndisë (Luka 10:27).
Ndaj të tjerëve (2 Korintasve 13:11).
Të zhvillojmë dhe të praktikojmë komunikim të perëndishëm sipas Efesianëve 4:25-32;
Të përdorim 4 rregullat e komunikimit: “Ji i sinqertë”, “Merru me situatën aktuale”, “Sulmo problemin dhe jo personin” dhe “Vepro, mos kundërvepro”.
Të jemi të përkushtuar ndaj rritjes në shenjtërim përmes fjalës (Gjoni 17:17), duke e lexuar Biblën rregullisht, duke u lutur, duke pasur bashkësi me besimtarët e tjerë, frekuentim të kishës dhe adhurim.
Të praktikojmë dhe të stërvitemi në drejtësi (Efesianëve 4:22-32, Kolosianëve 3:12-17, 2 e Pjetrit 1:3-11).
Të jemi gati—të sigurohemi që motivet janë të pastra dhe janë sipas standardit të Perëndisë (Mateu 7:1-7; Romakëve 8:28-29; Filipianëve 2:3).
Të ruajmë si thesar ato që Perëndia ruan si thesar (Psalmi 51:17; Isaia 57:15).
Të jemi të mësueshëm—të kërkojmë ato që janë lart (Kolosianëve 3:1-3; Mateu 6:19-20).
Të vendosim ta bëjmë ballafaqimin biblik pjesë të jetëve tona të përditshme (Hebrenjve 3:12-13).
Të jemi të guximshëm—duhet kurajë që të shkojmë tek dikush që ka gabuar—“për ta fituar vëllain tonë”. Nëse ai nuk pendohet dhe nuk kthehet nga mëkati i tij, merr hapat dhe personat e duhur për ta ballafaquar me të vërtetën e Fjalës së Perëndisë, me dashuri, me qëllimin e restaurimit të marrëdhënies së personit me Perëndinë dhe të tjerët (Mateu 7:1-7; Mateu 18:15-20)

Si përfundim

Të kuptuarit e ballafaqimit biblik është thelbësor për rritjen frymërore, si vetjake, ashtu edhe në trupin e Krishtit. Ai është ndërthurur brenda të vërtetave të Shkrimit, duke përforcuar Urdhërimin e Parë dhe të Dytë më të rëndësishëm. Ai është mjeti me anë të të cilit Perëndia siguron të sjellë ndryshim që zgjat në jetët tona. Ai duhet të përvetësohet, përmes bindjes nga dashuria, për të pasqyruar se kush është Perëndia dhe çfarë ka bërë Ai në një botë të rënë, duke i thërritur njerëzit të kthehen tek Krishti dhe kryqi në çdo marrëdhënie. Pa dyshim, ballafaqimi biblik nuk prodhon gjithmonë pendimin dhe ndryshimin e perëndishëm që Perëndia ka ndër mend. Me keqardhje themi se jo të gjithë njerëzit pendohen, megjithatë ata duhen paralajmëruar. Shembulli i Jezusit ilustron dhe na fton që ta imitojmë atë. Dhe Zoti tek Zanafilla 3 dhe 4 bëri të njëjtën gjë, pavarësisht nga rezultatet. Ky është mandati që Zoti jep: “Nëse ju bëni të mirën, vallë nuk do të pranoheni? Dhe nëse ju nuk bëni të mirën, mëkati është strukur tek dera. Fokusi i tij jeni ju, por ju duhet të sundoni mbi të.” Së fundmi, ballafaqimi biblik ka pasoja të përjetshme, duke qarkuar ose vdekjen, ose jetën. Le të vendosim ta ftojmë veten dhe të tjerët të duam, së pari, Perëndinë, dhe, së dyti, të afërmin tonë, siç Shkrimi mëson qartësisht.

Përktheu Rudina Boçe

Ballafaqimi Biblik, një mjet i hirit – Pjesa e parë

grace

Pa dyshim që leximi i titullit të këtij ar­tikulli ju ka bërë përshtypje. Çfa­rë ju vjen në mendje kur lexo­ni fjalët ballafaqimi biblik – një mjet i hirit? A mund të jetë kjo një mënyrë me anë të së cilës Perëndia dëshiron që ne ta jetojmë jetën e krishterë me efektshmëri për lavdinë e Tij? Ne besojmë që po. Natyrisht, ne jetojmë në një botë në të cilën ekziston ballafaqi­mi; të gjithë herët a vonë duhet që të ballafaqojmë dikë apo të ballafaqohe­mi me dikë. Është e panevojshme ta themi, por në secilin rast, të ballafaqojmë dikë apo të jemi personi që ballafaqo­het nga dikush, nuk është e lehtë, është e vështirë. Për më tepër, shumë herë fjala ballafaqim mund të ndezë aq shumë mendime dhe emocione të papëlqyeshme, saqë ne, qysh në shfaqjen e problemit ose do të shpresojmë që gjërat të zgjidhen vetë, ose do të presim derisa të jemi vënë me shpatulla pas murit, duke mos pasur asnjë zgjedhje tjetër, përveçse të themi diçka.

Në këtë pikë, shumë prej nesh nuk dinë se çfarë të thonë apo të bëjnë. Ne shpesh ndihemi të pazotë për t’i zgjidhur në mënyrën e duhur konfliktet me të cilat përballemi. Duke pasur një mungesë të kuptimit të Shkrimeve, ne rropatemi, duke u përpjekur të merremi me mëkatin në jetët tona apo të të tjerëve, pa sukses. Shpesh rezultatet janë shkatërrimtare; dhe jo vetëm kaq, problemet apo çështjet nuk trajtohen si duhet. Veç kësaj, ato traj­tohen në mënyrë jo të perëndishme, du­ke e zmadhuar problemin dhe duke e bërë shumë më keq nga ç’ishte më parë. Fatmirësisht, ne nuk jemi pa ndihmën e Zotit. Ai na ka dhënë shpresë dhe ndih­më, jo vetëm me të vërteta të sigurta dhe të besueshme, por edhe “premtime të çmuara dhe shumë të mëdha” (2 e Pjetrit 1; Romakëve 15:4), të mbështetura vetëm në karakterin e dashur të Perëndisë.

Për më tepër, ballafaqimi biblik është një nga ato dhurata nga Ati, që, të kuptuara si duhet, Perëndia i përdor në jetët tona, për më të mirën e mundshme – për një bashkim prekës dhe të shëndetshëm me veten e Tij dhe njëri-tjetrin. Së bashku do të shohim se çfarë është dhe çfarë nuk është balla­faqimi biblik, çfarë e pengon atë dhe se si mund ta rrënjosim atë si zakonin e përditshëm që Perëndia e ka përcaktuar që të jetë (Hebrenjve 3:12-13).

Përcaktimi i ballafaqimit biblik

Së pari, ne duhet të kemi të qar­të diçka: ballafaqimi biblik fillon me Biblën. Ajo ka shumë për të thënë për këtë dhuratë të hirit të Perëndisë (1 Pjetrit 1:23; Psalmi 19; Psalmi 119). Pa dy­shim, ndërsa ne lexojmë Biblën, ba­lla­faqimi del në qendër të skenës. Ai shfa­qet që nga fillimi dhe vazhdon drejt e deri në fund. Përgjatë gjithë Biblës gjendet një linjë e vazhdueshme përvojash ballafaqimi; jo vetëm nga Perëndia, kryesisht, por edhe nga njerëzit – bashkë­bisedimi ballë për ballë, që përfshin marrëdhëniet ose ndërmjet individëve, ose kombeve. Kudo që shohim, ballafaqimi është i pranishëm. Nga Bibla ne kuptojmë që ballafaqimi është pjesë e jetës dhe ka qenë i pranishëm përgjatë gjithë historisë. Veç kësaj, ndihemi apo jo rehat me këtë fakt, edhe ne duhet të përballemi me të, dhe si të krishterë, jo në mënyrën se si bota merret me të: me inat, zemërim, tërbim, me qëllimin për të arritur synimet personale, por për t’u mbështetur me vendosmëri në të vërtetat biblike, duke e bërë me përulësi dhe butësi (2 e Timoteut 2:24-26), me synimin për t’u çliruar dhe kapur fort pas Urdhërimit të Parë dhe të Dytë më të rëndësishëm. Prandaj për të kuptuar si duhet se çfarë është ballafaqimi biblik, ne duhet t’i mbajmë duart tona mbi Biblën dhe mendjen tonë tek Fjala e Perëndisë (Kolosianëve 3:1-3).

Tani, ndërsa eksplorojmë Fjalën e Perëndisë, ne duhet të kuptojmë qar­­të se cili është qëllimi për të cilin ja­në shkruar dhe caktuar Shkrimet. Përndryshe, ne ose nuk do të shkojmë fare te Shkrimet ose kur të shkojmë atje, ne do të keqinterpretojmë atë që ato na thonë të bëjmë. Letra e dytë e Timoteut 3:16-17 konstaton procesin përmes të cilit ne mund të përfitojmë nga Shkrimet – në këtë rast, sipas një renditjeje specifike; së pari, ato janë të dobishme për mësim – duke qenë se besimi vjen nga dëgjimi i Fjalës së Perëndisë (Romakëve 10:17); e dyta vjen bindja, e përkthyer gjithashtu si qortim– është një paralajmërim i cili nxjerr në pah mëkatin ose fajin tonë, dhe kjo duhet të prodhojë ndjenjën e fajit, kështu që ne kuptojmë që kemi bërë diçka të gabuar; e treta është ndreqja – shfaqja e pikës së ndryshimit. Ky është vendi ku një mëkat ose gabim korri­gjohet dhe demonstrohet një mënyrë tjetër për të vepruar. Ndreqja e korri­gjon një faj. Së fundmi, pasi kalojmë përmes tre hapave të parë të këtij vargu, fillon edukimi – në drejtësi – këtu ndodh ndryshimi i vërtetë transfor­mues. Për më tepër, këtu zë vend ushtrimi i sjelljeve të reja: “duke zhveshur” sjell­jen e vjetër dhe “duke veshur” të renë, siç përshkru­het tek Efesianëve 4 dhe Kolosianëve 3. Si pasojë, pasi kalon pak kohë, diçka e bukur ndodh, ndryshimi për të cilin lutemi dhe e dëshirojmë bëhet realitet, sepse ne kemi përvetësuar mënyra të reja të të jetuarit, me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë, përmes bindjes ndaj Shkrimeve.

Në mënyrë të ngjashme, Paul Tripp, autori i librit me titull “Instrumente në duart e Shpenguesit”, i përkthyer së fundmi në gjuhën shqipe, thekson këtë forcë lëvizëse të çmuar ndryshimi, si synim i ballafaqimit biblik. Ai e shpjegon hartën e rrugës së ndryshimit në katër pjesë, duke filluar në faqen 241, dhe na ndihmon ta kuptojmë procesin me pyetje të mprehta: 1) Fillon me shqyrtimin – “Çfarë dëshiron Perëndia që personi të shohë (rreth vetes, Perëndisë, të tjerëve, jetës, së vërtetës, ndryshimit) të cilën ai nuk e shikon?”; 2) Tjetra, rrëfimi (qortim ose bindje) – “Çfarë dëshiron Perëndia që personi të pranojë apo të rrëfejë?”; 3) Pastaj, përkushtimi (korrigjimi) – “Në ç’mënyra të reja jetese po e thërret Perëndia këtë person?”; 4) Së fundmi, ndryshimi (edukimi në drejtësi) – Si duhet që këto përkushtime të reja të zbatohen në jetesën e përditshme?”. Në të vërtetë, përdorimi i kësaj harte për ndryshimin, e cila është e rrënjosur në Letrën e Dytë të Timoteut 3:16-17, na jep neve drejtimin që na nevojitet: ndryshimi transformues është synimi dhe qëllimi i ballafaqimit.

Gjithashtu, me qëllim që ky ndryshim të ndodhë, ballafaqimi duhet t’i drejtohet zemrës, meqë ajo është vendi ku fillon tundimi. Nëse nuk i drejtohet zemrës, ne do të përpiqemi të merremi vetëm me shfaqjet e jashtme, të cilat janë rezultat i veprave mëkatare. Po, duhet të merremi me frytin mëkatar, por nuk është ai vendi nga i cili duhet të fillojmë, meqenëse fryti mëkatar thjesht dëshmon dhe zbulon frytin e keq. Prandaj, ashtu siç thuhet edhe tek Mateu 15:19, ne duhet të fillojmë nga rrënja e problemeve, përndryshe do të fokusohemi në vendin e gabuar (Fjalët e Urta 4:23; Jeremia 17:9). Për më tepër, Perëndia fillon këtu – në zemër, kur Ai merret me mëkatin, i cili në fund të fundit kryhet kundër Atij dhe më pas edhe kundër të tjerëve. Ngaqë Perëndia me­rret me mëkatin në këtë mënyrë, kështu duhet të veprojmë edhe ne. Pa dyshim që Zoti Perëndi na jep një shembull të qartë, tek Zanafilla 3 dhe 4, të llojit të bashkë­bisedimit të cilin ne duhet ta përvetësojmë ndërsa përpiqemi të sjellim Perëndinë dhe Fjalën e Tij në marrëdhë­niet që ai vendos para nesh; qofshin ato konfliktuale ose jo. Në të vërtetë, të kuptuarit e forcës lëvizëse të përfshirë në ballafaqimin biblik, përbrenda kontekstit të bashkëbisedimit dhe marrë­dhënieve, sjell realitetin që ajo nuk duhet të kufizojë rezultatet dhe përfytyrimet dëmtuese, shpërthyese, tmerruese dhe armiqësore, të cilat shpesh na vijnë në mendje; duke na penguar të angazhohemi në misionin shpëtues, pjesë e të cilit Perëndia dëshiron që të jemi. Ballafaqimi biblik për­fshin komunikimin, bashkëbisedimin me një person ballë për ballë. Vini re se si Perëndia është shembulli i përkryer i kësaj force ndryshuese kur ai merret me mëkatin e Adamit, Evës dhe Kainit. Pasi mëkati hyri në botë, Perëndia iu qas Adamit dhe Evës me pyetje: “Ku je?” dhe “Çfarë ke bërë?”. Po ashtu edhe Kainit: “Pse je pezmatuar dhe pse fytyra jote është e dëshpëruar?”. Në të njëjtën mënyrë edhe ne mund t’i ballafaqojmë të tjerët në mënyrë biblike.

Për shembull, supozoni që do të ta­koheshit me Sandrën (një person imagjinar) në një bar-kafe. Ju vini re që ajo është jashtëzakonisht e pezmatuar dhe e inatosur. Ndërsa ajo ju afrohet, flokët e saj tunden qëllimisht sa para mbrapa. Ajo përplas takat fort në tokë ndërsa ecën. Fytyra e saj është e kuqe, shprehja e saj e ashpër dhe e vrazhdë. S’ka pikë dyshimi në mendjen tënde, që ajo është e nxehur për diçka. Kur ajo ulet në një karrige përballë teje, lotët fillojnë t’i bien dhe ajo mbulon fytyrën me duar. Ju vëreni shpatullat e saj që dridhen ndërsa ajo dënes qetësisht. Ju jeni të vetëdijshëm që diçka ka ndo­dhur dhe e ka shqetësuar miken tuaj. Pyetjet vrapojnë vrullshëm në mendjen tuaj: “Çfarë duhet të them?” ose “Çfarë duhet të bëj?”, “Si mund ta ngushëlloj miken time?”. Zemra juaj dërrmohet nga dhembshuria dhe dashuria, por përbrenda ju filloni të përlesheni, duke mos ditur se si ta ndihmoni. Ju zgjasni dorën për ta ngushëlluar dhe, në këtë pikë, të keni një arsyetim të qartë se si të arrini tek ajo që ka ndodhur në të vërtetë është vendimtar. Edhe nëse personi nuk është i krishterë.

Për më tepër, qëllimi ynë si të krish­terë është t’i çojmë të gjitha marrë­dhëniet tona në drejtim të Perëndisë, duke e vendosur Atë qëllimisht në qendër të gjithçkaje. Ne duhet ta bëjmë Perëndinë pjesë të tablosë. Prandaj, ne duhet t’ia fillojmë nga Perëndia dhe Fjala e Tij, duke u përqendruar saktësisht atje ku Ai dëshiron, në zemër. Sepse Fjala e Perëndisë është “e gjallë dhe vepruese” dhe “është në gjendje të gjykojë mendimet dhe dëshirat e zemrës” (Hebrenjve 4:12). Ajo depërton thellë dhe shpesh sjell mjaft rezistencë, madje edhe brenda zemrave tona; ne nuk e pëlqejmë dritën që ndriçon në botën tonë të e­rrët. Ndonjëherë ne jemi të tunduar të shmangim atë që thotë Perëndia. Veç kësaj, përpjekjet tona për të ndihmuar do të jenë të përqendruara gabimisht në atë se si një person do të reagojë, duke dëshiruar një rezultat të caktuar dhe jo në atë se si të nxisim bindje ndaj Perëndisë, përulësisht për lavdinë e Tij, duke i sjellë të tjerët më afër Perëndisë dhe në unitetin e Frymës së Shenjtë brenda trupit të Krishtit.

Blair dhe Sue Alvidrez, së bashku me vajzën e tyre 13-vjeçare, Katie, je¬toj¬¬në në qytetin e Tiranes. Ata janë nga Kentucky, Amerikë. Blair dhe Sue ja¬në anëtarë të shoqatës kombëtare të “Nouthetic Counselors” dhe janë këshillu¬es biblikë të certifikuar. Janë në procesin e përmbushjes së një përkushtimi 10-vjeçar në shërbesë në Shqipëri.