Këshillimi Biblik Lulëzon në Tokën e Shqiponjave

title.jpgNga Marie Notcheva

(ky artikull është publikuar në “Ilira Revista”, shtator 2016).

Çfarë është këshillimi biblik?

Në vitin 1656, puritani Riçard Bakster shkroi se vetë Shkrimi është i dobishëm për të krishterët “për t’iu hequr dyshimet, për t’i ndihmuar në luftën kundër mëkateve të tyre, për t’i drejtuar në detyrën e tyre dhe për rritje të njohurisë dhe të gjithë hirit shpëtues”.1 Ndryshe nga psikologjia, e cila ka një pikëpamje për jetën që është e përqendruar te njeriu dhe e kundërshton konceptin e ‘mëkatit’, këshillimi biblik bazohet në bindjen se Perëndia na ka folur përmes Shkrimit. Përmes Biblës, Perëndia na ka zbuluar gjithçka që duhet të dimë për Të, për veten tonë dhe për botën përreth nesh (2 Pjetrit 1:3).

Këshillimi biblik, i cili disa herë është quajtur “një hibrid mes dishepullimit dhe miqësisë biblike”, ka përfitimin shtesë të përgjegjshmërisë. Kur një i krishterë kërkon ndihmë nga një këshillues biblik i trajnuar për një problem shpirtëror të vazhdueshëm, ai apo ajo do të duhet të bëjë detyra shtëpie, të mësojë përmendësh disa pasazhe nga Shkrimi dhe të bëjë punën e vështirë të ndryshimit biblik ndërmjet sesioneve. Të mësosh ta kuptosh drejt Fjalën e Perëndisë dhe të ndihmosh njerëzit ta zbatojnë atë në jetën e tyre nuk është ide e re, por këshillimi biblik është rritur shumë në Shqipëri këto vitet e fundit.

Nga Bashkësia e Hirit,  me dashuri

Në vitin 2007, Kisha e Bashkësisë së Hirit (Grace Fellowship Church) në Kentucky, SHBA, dërgoi Bler dhe Suana (Blair dhe Sue Ann) Alvidrez në Shqipëri në një udhëtim misionar afatshkurtër. Pasi u vendosën në Lushnjë në vitin 2010, Bleri dhe Suana u bënë të parët këshillues biblikë në Shqipëri. Brenda pak viteve, Bleri po organizonte konferenca trainimi për shqiptarë që donin të mësonin si të këshillonin në kishat e tyre lokale. Pastorë amerikanë nga Shoqëria e Këshilluesve Biblikë të Certifikuar (Association of Certified Biblical Counselors) erdhën në Tiranë për të ndihmuar me trajnimin. Bashkë me Pastor Genci Cesulën, pastor kryesor në Kishën e Hirit në Tiranë dhe pastorë dhe misionarë të tjerë, Bleri themeloi Koalicionin e Këshillimit Biblik Shqiptar. “Këshillimi biblik po fiton mjaft popullaritet”, thotë Bleri. Ai dhe familja e tij kanë jetuar në Tiranë për disa vjet, ku ai punon bashkë me Genci Cesulën, duke dishepulluar dhe trajnuar pastorë të tjerë që synojnë certifikimin. “Shumë njerëz thanë në fillim, ‘Kjo nuk do të funksionojë këtu’”, thotë ai. Më shumë se në Amerikë, në Shqipëri njerëzit e kanë të vështirë të flasin lirshëm për problemet e tyre. Megjithëse betejat shpirtërore me të cilat përballen besimtarët janë të ngjashme në të gjithë botën, shqiptarët e kanë më të vështirë të kërkojnë këshillë. Kjo është pjesërisht për shkak të një mosbesimi të përgjithshëm ndaj autoritetit dhe një shqetësimi të përgjithshëm në lidhje me thashethemet. Megjithatë, me këmbëngulje dhe trajnim të vazhdueshëm, shumë njerëz tani po kërkojnë këshillim brenda kishave të tyre lokale. Disa pastorë shqiptarë i kanë përfunduar provimet e tyre të certifikimit dhe po këshillojnë tashmë, dhe disa nga gratë e tyre po ndihmojnë duke këshilluar gra dhe duke përkthyer libra.

ilira2

Fryti i shërbesës së përkthimit

Deri tani janë përkthyer në shqip 23 tituj në lidhje me këshillimin biblik, duke përfshirë këtu librin e Pol Trip, “Instrumente në duart e Shpenguesit”, një numër jo i vogël, sidomos kur e krahason me vendet fqinje ku teologjia e Reformuar dhe këshillimi biblik janë pothuaj të panjohur. Bashkësia e Hirit, kisha dërguese e Blerit dhe Suanës në Amerikë ka siguruar financa dhe njerëz për të ndihmuar; megjithatë, këshillimi biblik nuk është shpikje amerikane. Apostulli Pal, në letrat e tij, na jep modelin e parë të një këshilluesi i cili është vërtet biblik. Ai përdor Fjalën e Perëndisë për të mësuar besimtarët e rinj, për të inkurajuar kishat e përndjekura, për të bindur për mëkat besimtarët dhe për të pajisur ata që ishin në shërbesë. Pasi Bibla vetë u përkthye në gjuhë të tjera, Ungjilli u përhap në më shumë popuj sesa do të kishin arritur misionarët me mësimet gojore. Në mënyrë të ngjashme, parimet e këshillimit biblik mësohen kryesisht përmes konferencave, por koncepti prezantohet edhe më gjerësisht përmes literaturës.

Disa herë shërbesa e Fjalës duket se ndodh vetvetiu. Bleri tregon një incident kur makina e tij kishte nevojë për lavazh. Ai kishte qindra librushka të përkthyera në ndenjësen e pasme të makinës, në kuti që po shqyheshin. Ai me kujdes i vendosi ato në trotuar ndërsa kishte lënë makinën në lavazh dhe dy burra shqiptarë treguan shumë interes në atë literaturë. “Çfarë janë këto? A mund t’i shikojmë?”. Bleri u shpjegoi me gëzim që ato ishin librushka që flisnin për Perëndinë dhe se si të jetosh në mënyrë që t’i pëlqesh Atij. “A mund të blejmë disa?”, pyetën burrat.

Lajmi është përhapur në vendet fqinje të Ballkanit në lidhje me këtë këndvështrim “vetëm Shkrimi” të këshillimit të krishterë. “Ne tani kemi kontakte në Maqedoni”, thotë Bleri. Disa pastorë nga Shkupi morën pjesë në trajnimin e kohëve të fundit në Kishën e Hirit, dhe një kishë në Kosovë, që e ka mbushur librarinë e saj me materiale këshillimi, ka treguar interes për të dërguar përfaqësues.

Nga qumështi te mishi… progresioni i trajnimit

Deri tani janë mbajtur katër konferenca vjetore për trajnim në këshillimin biblik, të mbajtura në Durrës, Tiranë dhe Korçë. Bleri dhe pastorë të tjerë që kanë dhënë mësim atje, janë inkurajuar nga rritja që kanë parë në besimtarët që marrin pjesë. Tani, më shumë pastorë lokalë po e marrin trajnimin vetë në seminare një herë në dy muaj që quhen “module trajnimi.” Ato fokusohen në tema më specifike këshillimi si martesa, depresioni dhe problemet e kombinimit të psikologjisë me Biblën. Bleri thotë që ky trajnim i specializuar është efektiv dhe i ndihmon pastorët të mësojnë si t’u shërbejnë besimtarëve me Fjalën brenda kontekstit të kulturës së tyre. “Ne japim një rast studimor në çdo sesion dhe pjesëmarrësit diskutojnë se çfarë do të bënin”, shpjegon ai. “Është shumë e mrekullueshme të shohësh se si pjesëmarrësit po e përvetësojnë mësimin dhe se si procesi po hedh rrënjë”.

Ndikimi i këshillimit biblik po fillon të njihet edhe përtej mureve të kishës lokale, ndërsa Bleri, Suana dhe Koalicioni i Këshillimit kanë krijuar marrëdhënie me shkolla dhe klinika mjekësore. Klinika e krishterë ABC në Tiranë ka dërguar punonjës për të dëgjuar leksionet mbi ankthin dhe depresionin dhe u kanë kërkuar Blerit dhe pastor Genci Cesulës t’u dërgojnë këshillues biblikë.

Tabloja e madhe – kisha si pjesë e jetës

Ashtu si çdo kulturë post-moderne, edhe Shqipëria po përballet me pro-blemet e saj që shumë njerëz thonë që nuk kanë rrjedhoja shpirtërore. Pastor Cesula rreshton depresionin dhe problemet martesore midis çështjeve më të mëdha të këshillimit, por gjithashtu përfshin edhe pornografinë në atë listë. Imoraliteti seksual (veçanërisht pornografia) po bëhet shumë më i dukshëm sesa në vitet e shkuara, dhe pa një themel biblik, moraliteti konsiderohet subjektiv. Një nga synimet e dishepullimit dhe të këshillës vërtet biblike, është ta sjellësh ungjillin në të gjitha fushat e jetës së personit. Burrat dhe gratë e përfshira në shërbesën e këshillimit biblik përpiqen të komunikojnë që ‘kisha’ nuk është ndërtesë, por një trup dinamik besimtarësh të lidhur me njëri-tjetrin që ndihmojnë njëritjetrin të rriten. ‘Këshilla biblike’ nuk është thjesht të japësh përgjigje apo të citosh vargje; ajo kërkon që Kisha të veprojë ashtu siç e projektoi Perëndia – si një institucion dishepullbërës. “Është ngazëllyese të shohësh se si Perëndia po ngre njerëz nga e gjithë bota që janë të uritur për të mësuar përgjigjet biblike për jetën e tyre, dhe inkurajuese të shohësh përkushtimin e popullit të Tij kudo”, tha një pastor.

Shqipëria, e bukura “Tokë e Shqiponjave”, po përtërihet në forcë. Në Shkrimet, shqiponja është simbol i forcës dhe i aftësisë për të mbajtur shumë peshë (Eks. 19:4; LiP. 32:11). Në të njëjtën mënyrë metaforike, Shqipëria është ngritur brenda një brezi nga shtypja e ateizmit në një vend me një nga mjediset më të forta të krishtera në Ballkan. Falë punës së palodhur të një brezi të ri pastorësh dhe këshilluesish biblikë, ajo në mënyrë të sigurt po “ngrihet me krahë si shqiponja” ndërsa besimtarët e rinj e bëjnë të njohur Emrin e Tij.

photonotchevabookMari Noçeva (Marie Notcheva) është shkrimtare dhe këshilluese biblike e certifikuar nga INS nga Masaçusetsi. Libri i saj i parë, “Redeemed from the Pit: Biblical Repentance and Restoration from the Bondage of Eating Disorders” (Calvary Press, 2011) (“Shpenguar nga gropa: pendim dhe restaurim biblik nga skllavëria e çrregullimeve të të ngrënit”) është libër reference për këshilluesit që punojnë me njerëz me probleme anoreksike dhe bulimike. Maria është kontribuese e rregullt e blogut të Koalicionit të Këshillimit Biblik (The Biblical Counseling Coalition blog), dhe shkruan për revista të krishtera në Shqipëri dhe Bullgari. Ajo punon si përkthyese me kohë të plotë e bullgarishtes në Boston dhe ka katër fëmijë.
1 Richard Baxter, The Reformed Pastor, reprinted (New York: Robert Carter & Brothers, 1860), p. 346

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s